Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, gjatë një lidhje live në studion “Opinion” tregoi se janë bërë mbi 10 mijë telefonata këtë të mërkurë drejt urgjencës, por që u janë përgjigjur vetëm 3456 rasteve të tilla.
Brataj tregoi si funksionon sistemi dhe u bëri thirrje qytetarëve që marrin në telefon të qëndrojnë në linjë nëse numri del i zënë. Ai u shpreh se telefoni do të hapet me disa sekonda ose minuta vonesë për shkak të fluksit.
“Dje ishin 3600 telefona sot deri në orën 21:00 janë 3456, nga të cilat 1732 janë vetëm për koronavirus. Më lejoni të shpjegoj një gjë. Po t’i shohësh si telefonata sot janë deri në orën 21:00, 10 mijë, i jemi përgjigjur 3456.
Nuk arrijmë për një arsye se jo për çdo gjë të marrin 127 duke e mbajtur 5-10 minuta hapur telefonatën. Qytetari që merr në telefon dhe del i zënë është i lutur të mos e mbyllë dhe të rimarrë, sepse është një zinxhir njerëzish që mbyllin e rimarrin duke krijuar këtë zinxhir të pafundmë. Sistemi ka teknikën e vet siç pret në linjë dhe të vjen radha nga disa sekonda edhe disa minuta për shkak të këtij fluksi kaq të madh”, tha Brataj.
Brataj bëri të ditur se pacientja që humbi jetën nga koronavirusi në Durrës nuk u transferua në Tiranë pasi në momentin e fundit shfaqi përkeqësim të kushteve.
“Atëherë nuk është marrë me ambulancë, nuk është nisur fare nga spitali. Shkoi ambulanca tek urgjenca e Durrësit. Pacientja u zbrit nga kati i katër deri tek urgjenca, hyri në ambulancë dhe kur hyri stafi pa përkeqësimin e kushteve të pacientit dhe vendosën të mos e transferonin dhe e kthyen prapë. Shkaku ishte një paciente pluripatologjike. Kishte paraqitur sëmundje pulmonare. Kishte një seri patologjish të tjera dhe infeksioni nga koronavirusi i dha goditjen e fundit që shkaktoi vdekjen e saj”, tha ai./tvklan.al