Dy cisterna ruse me naftë me 29 anëtarë të ekuipazhit në bord janë fundosur në Detin e Zi, thanë autoritetet në Rusi. Shkak i kësaj ngjarje raportohet të jetë bërë moti i keq me stuhi.

Të paktën një anëtar i ekuipazhit gjeti vdekjen dhe sipas raportimeve dhe anija e dytë pësoi dëmtime të mëdha. Incidenti ndodhi në ngushticën Kerç, e cila ndan Rusinë nga gadishulli i Krimesë.

Presidenti Vladimir Putin ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune për t’u marrë me incidentin, të kryesuar nga zëvendëskryeministri Vitaly Savelyev teksa autoritetet po hetojnë për neglizhencë kriminale.

Ndërkohë një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar ku përfshihen rimorkiatorë, helikopterë dhe më shumë se 50 personel.

“Sot, si pasojë e një stuhie në Detin e Zi, dy cisterna, Volgoneft-212 dhe Volgoneft-239, u mbytën. Në bordin e anijeve kishte ekuipazhe prej 15 dhe 14 personash. Aksidenti rezultoi në derdhjen e produkteve të naftës”, tha në një deklaratë agjencia federale e transportit detar dhe ujor të brendshëm të Rusisë, Rosmorrechflot.

Të dy cisternat kanë një kapacitet ngarkimi prej rreth 4,200 ton naftë.

Në vitin 2007, një tjetër cisternë nafte Volgoneft – Volgoneft-139 u nda në gjysmë gjatë një stuhie ndërsa u ankorua në ngushticën e Kerçit, duke derdhur më shumë se 1000 ton naftë./tvklan.al