Diskutimet për përfundimin e programit të imigracionit në SHBA përmes lotarisë për Green Card kanë filluar dy vjet më parë. Ato janë pjesë e diskutimeve në kuadër të reformimit të ligjeve të migracionit.
Dy senatorë republikanë patën kërkuar atëherë t’ i jepet fund lotarisë. Por edhe së fundmi, në reagimin e tij pas një akti terrorist në Nju-Jork, presidenti Trump kërkoi t’i jepet fund këtij programi. Ai kritikon mes të tjerash kushtet që duhen plotësuar për të fituar lotarinë, si janë shumë minimale, që mund të plotësohen prej kujtdo. Më shumë se për dhënien fund të programit flitet për zëvendësimin e tij me një sistem imigracioni të bazuar në pikë. E sigurt është se nëse lotarisë i jepet fund, nuk ekziston më mundësia për personat pa kualifikime të veçanta që të imigrojnë në SHBA.
Marrja e Green Card nuk është e lehtë
Të paktën GreenCard Lotterie DV -19 kryhet me garanci të plotë, dhe aplikimet dërgohen tek autoritetet amerikane që bëjnë procesin e përzgjedhjes. Deri tani shifrat kanë treguar se një ndër 25 aplikues e fiton lotarinë. Rreth 77 mijë shqiptarë kanë marrë që nga viti 1999 Green-Card nëpërmjet lotarisë.
Të marrësh Green Card nuk është e lehtë. Ekzistojnë tri mundësi. Njëra është blerja me një çmim, i cili nuk bëhet i ditur, por që mendohet të jetë i lartë. Mundësia tjetër është me martesë me një qytetar ose qytetare amerikane. E treta është me llotarinë Green Card.
Llotaria amerikane u krijua në vitin 1987 nga Presidenti Regan për të krijuar një mundësi për ata që duan të imigrojnë në Amerikë me rrugë legale, por që nuk kanë mundësi. Që atëherë e deri tani SHBA ka hedhur në lotari mijëra karta Green Cards, që janë viza që japin menjëherë lejen e qendrimit dhe punësimit të pakufizuar. Sot lëshohen 55 mijë të tilla në vit. Numri i kartave që lëshohen, në cilin vend dhe për cilin kontinent vendoset nga e para vit për vit. 14,5 milionë vetë aplikuan nga e gjithë bota vitin e kaluar. Nga Gjermania për shembull 532 vetë fituan vitin e kaluar.
Vizat për punonjësit e specializuar
Përveç lotarisë Green Card ndryshimet që kërkohen kanë të bëjnë edhe me vizat H1-B, që janë vizat për punonjësit e specializuar. Vëzhgues në Uashington mendojnë se ndryshimet varen nga e ardhmja e marrëveshjeve të tregtisë midis Amerikës dhe Kinës e Indisë. Nga universitetet në Indi dalin shumë ekspertë të teknologjisë së lartë, të cilët vijnë në SHBA. Çdo vit jepen 85 mijë viza H1-B, një vizë shumë e rëndësishme për ekonominë. Viza H1-B është futur në vitin 1990 për punonjësit e kualifikuar.
Ato zgjaten gjashtë vjet dhe janë të lidhura me një universitet ose kompani të caktuar. 1,5 milionë mjekë, mësues, akademikë, specialistë kompjuterash nga e gjithë bota kanë hyrë deri tani me H1-B në Amerikë.
Me gjithë se janë bërë disa projektligje deri tani asnjë nga ligjet nuk ka ndërruar. Por, çfarëdo që të vendoset nuk pritet që programet për Greencard-Lotterie dhe vizat H1-B të zgjerohen. Po ashtu nuk mendohet të ndryshojnë mundësitë për të marrë Green-Card si sipërmarrës që kërkon të investosh në Amerikë duke hapur vende pune. Po ashtu, Green Card Soldiers, lejeqëndrimi që jepet për qytetarët që nuk kanë nënshtetësinë amerikane, por shkojnë në luftë. Një rregull i nxjerrë nga Presidenti Bush më 2003./DW