#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Gjenerata Alfa”- Marrëdhëniet intime në adoleshencë


Të ftuar:
Prof. Asc. Dr. Izela Tahsini, psikoterapiste, pedagoge ne Departamentin e Punes Sociale dhe Politikave Sociale
Dr. Gentiana Qirjako – Eksperte ne Insitutin e Shendetit Publik
Eglantina Lula – Prind
Andi Rabiaj- Drejtues i “Zeri i te rinjve”

“Nëse s’e bën, shihesh si dështak”/ Të rinjtë para raporteve intime: Djemtë mburren, vajzat e fshehin

Diskutimi mes prindërve dhe adoleshentëve për marrëdhëniet seksuale mbetet një nga temat e vështira dhe të sikletshme për të dyja palët. Të rinjtë përpiqen të mësojnë nga burime të tjera, të ndikuar edhe nga kureshtja e moshës dhe kjo sjell edhe pasoja siç mund të jetë kryerja e tyre herët.

Mjekja Lindita Myzyri shpjegoi në një insert të shfaqur në “Gjenerata Alfa” se raportet e para intime lindin që prej moshave 13-14 vjeç. Në studion e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, diskutimi vazhdon dhe Esio e Ilda mbajnë qëndrime të ndryshme.

Esio thotë se është tashmë e normalizuar dhe për djemtë, një formë mburrjeje përpara shoqërisë. Ilda mbron tezën se përgjithësisht kjo fshihet mes të rinjve, e kryesisht nga vajzat.


Ardit Gjebrea: A është normalizuar fillimi i hershëm i marrëdhënieve intime?

Esio: Unë personalisht mendoj që fatkeqësisht, po sepse sot kjo është kthyer në një formë mburrjeje e cila vazhdimisht dhe qoftë në mënyrë të qëllimshme, qoftë në mënyrë të paqëllimshme është e organizuar si nga mediat, si nga shoqëria, si nga muzika, si nga gjithçka.

Ardit Gjebrea: Ka presion shoqëria?

Esio: Patjetër. Përsëri ka presion sepse siç thashë, kjo është një formë mburrjeje dhe në qoftë se nuk e bën, shihesh si një dështak, si një i dështuar, si një njeri i mbaruar në zhargon.

Ilda: Nuk jam plotësisht dakord me thënë të drejtën që të rinjtë shihen në një formë të caktuar nëse nuk përfshihen në aktivitete të tilla nëse kanë kaluar një moshë të caktuar. Kam idenë se të rinjtë kanë atë tendencën për të fshehur këtë fakt nga të rinjtë e tjerë, nuk janë aq transparentë dhe të ekspozueshëm sa u përket informacioneve të tilla.

Ardit Gjebrea: E fshehin apo mburren se po thoni dy gjëra të ndryshme?

Ilda: Dy gjëra të ndryshme sepse Esio është djalë dhe unë jam vajzë.

Ardit Gjebrea: Çunat mburren, gocat e fshehin?

Ilda: Patjetër që po, por do të thoja që nuk vjen vetëm nga presioni por edhe nga mospasja e informacionit dhe kurioziteti. Sigurisht që nëse ne nuk kemi një kurrikulë zyrtare në shkollë që të mësojmë për këtë gjë, ne do të shtyhemi ta marrim informacionin nga burime të tjera të pasigurta, të cilat shumë lehtësisht janë të manipulueshme dhe informacioni aty mund të jetë i gabuar.

Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Gentiana Qirjako shpjegon përmes shifrave se konstatimi i Ildës është i saktë. Djemtë 15-vjeçarë raportojnë më shumë kryerjen e marrëdhënieve intime krahasuar me vajzat.

Gentiana Qirjako: Në studimin e fundit që kemi bërë, është një studim europian që bëhet në të gjitha vendet e Europës, na ka rezultuar që 20% e 15-vjeçarëve janë përfshirë në marrëdhënie seksuale, por me një diferencë shumë të madhe gjinore, që do të thotë 34% e djemve të kësaj grupmoshe raportuan kryerjen e marrëdhënieve seksuale kundrejt 4% të vajzave, për t’i dhënë të drejtë pikërisht Ildës që ka ndoshta një mbiraportim nga djemtë dhe një nënraportim nga vajzat.

Si ndikojnë rrjetet sociale në marrëdhëniet e hershme/ Debati mes të rinjve

Mediat sociale janë shënjestruar prej kohësh si një nxitës të rritjes së marrëdhënieve të hershme seksuale tek adoleshentët. Për të marrë një mendim nga vetë ata, moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea pyet të rinjtë e “Gjeneratës Alfa”.

Ohrlini mendon se meshkujt provokohen, ndërsa Renisa iu kundërvu ashpër duke i thënë se zgjedhja e dikujt s’mund të kthehet në një justifikim për personin që konsumon përmbajtjen.

Ardit Gjebrea: Sa ndikojnë dhe sa nxisin rrjetet sociale?


Ohrlin: Ndikojnë shumë Ardit sepse në rrjete sociale gjen lloj-lloj femrash që ekspozojnë trupin e tyre dhe për ne meshkujt, po flas për ne meshkujt, nga perspektiva ime, provokohemi shumë, tërhiqemi nga këto lloj imazhesh dhe këto na bëjnë që të fillojmë një jetë seksuale.

Renisa: Fakti që dikush zgjedh të ekspozojë pak më shumë apo pak më pak në rrjete sociale, nuk e bën atë të jetë as lloj e lloj, as lloj e soj a ku di unë sesi Ohrlin e percepton në optikën e tij. Sesi ne zgjedhim të qasemi, qofshim femra, qofshin meshkuj, në rrjete sociale, nuk i bën ata tabelë qitjeje për t’i sulmuar ne ata se ata na nxisin dëshira seksuale apo ku di unë çfarë lloj dëshirash se ne i bie të hasemi dhe shohim shumë e më shumë lloj gjërash në telefon dhe i bie të themi që unë u nxita për të bërë këtë, unë u nxita për të bërë atë se më nxiti një pamje që unë pashë në telefonin tim, kështu që këtu nuk më duket e arsyeshme.

Ardit Gjebrea: Kështu janë si ty, të gjithë të rinjtë? Nuk ndikohen nga rrjetet sociale?

Renisa: Është qasje personale por edhe forma sesi ne zgjedhim që qasjet personale t’i prezantojmë dhe t’i tregojmë para të tjerëve, duhet të jetë e kujdesshme dhe e moderuar.

Prindi mëson që adoleshenti ka kryer marrëdhënie seksuale, si të veprojë?

Fokusi i bisedës  në “Gjenerata Alfa” vërtitet rreth frikës dhe rrezikut nga raportet intime në moshë të hershme. Kjo temë krijon një ngërç në diskutimin mes prindërve dhe fëmijëve pasi për të dyja palët është një terren jo i lehtë, por ka mënyra sesi mund të flitet që adoleshentët të arrijnë në mënyrë të sigurt në atë pikë.

Ilda ndau eksperiencën e saj me të rinjtë e tjerë të rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan dhe tha se prindërit i kanë folur përmes bisedave të përditshme, pa e bërë situatën të sikletshme. Psikoterapistja Izela Tahsini thotë se prindërit duhet ta nisin gradualisht e të kërkojnë ndihmë kur kanë nevojë. Njëkohësisht, nëse gjenden para faktit të kryer, duhet të kenë kujdes me reagimin.

Izela Tahsini: Ta fillojmë me edukimin seksual që herët, gradual, atë që u tha si në mënyrë të natyrshme, si pjesë e bisedave të përditshme, të kërkojmë ndihmë si prindër kur nuk mundemi nga punonjësi social, nga prindër të tjerë, nga kolegë të tutë, është e rëndësishme për sa u përket prindërve. Nga ana tjeter, prindërit s’duhen lënë vetëm në këtë sepse shkolla është një vend shumë i madh për të punuar gjithashtu.

Ardit Gjebrea: Tani ju thatë që mosha 14-16 vjeç është moshë e hershme. Nëse kjo ndodh, çfarë duhet të bëjë prindi?

Izela Tahsini: Nëse e merr vesh, duhet ta pranojë që kjo ka ndodhur. Të mos kërcënojë, të mos bëjë panik. Duhet të sigurohemi si ka shkuar, a ka pasur konsent, ka qenë një bashkëmoshatar apo dikush i rritur? Se ne folëm për të rriturit, por çdo i rritur që bën marrëdhënie seksuale me dikë nën 18 vjeç, po bën diçka të paligjshme dhe abuzive.

“Kujdes shëndetin”- Rehabilitimi robotik, LivHospital

“Ka një mesazh për ty”- Sakrifica e muzikantëve të vegjël


Dikur nxënës i saj, Gjebrea mirëpret në studio mësuesit e shkollës ku kaloi 8 vite

Zakonisht në “Ka Një Mesazh Për Ty” kemi parë mesazhe nga nxënësit për mësuesit e tyre. Këtë fundvit, rolet kanë ndryshuar dhe janë mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Dëshmorët e Lirisë” që kanë ardhur për nxënësit e tyre. Pas prezantimit të tyre, moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea u kërkon të tregojnë “edhe për shkollën e tij” duke zbuluar se një pjesë të arsimimit të tij e ka kryer aty.


Ardit Gjebrea: Më tregoni pak për shkollën tuaj, ose më mirë edhe për shkollën time sepse 8 vjet violinë unë i kam kaluar pranë shkollës tuaj dhe ruaj kujtime shumë të bukura.

Zhaneta Thana: Më vjen mirë, është një shkollë me tradita shumë të bukura dhe një ndër talentet që ka nxjerrë ajo shkollë jeni edhe ju dhe sot vërtet ndihem shumë e bekuar që kam mundësinë të jap mësim në këtë shkollë pasi tradita ka vazhduar, për sa kohë ka një staf që përpiqet me mish e me shpirt dhe nuk investojmë vetëm aftësitë, por edhe pasionin e zemrës për të pasur një nivel të lartë artistik.

Ardit Gjebrea ‘kthehet’ në mesazher, fëmijët zihen në befasi

Moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea mori këtë herë rolin e mesazherit në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Në studion e programit ndodhen mësuesit e shkollës “Dëshmorët e Lirisë” që kanë ardhur të surprizojnë nxënësit e tyre.

Gjebrea shkon në hapësirën e caktuar për nxënësit të cilët nuk kanë dijeni se janë të ftuarit e rubrikës. Ata dinë vetëm se kanë për të realizuar një performancë.


Kështu moderatori hyn në rolin e mesazherit e sapo u thotë se për ta sot do të ketë një mesazh, ata nisin menjëherë të diskutojnë nëse i ka ftuar ndonjë mësues, nëndrejtoresha apo drejtoresha e shkollës.

Për t’ua shuar kureshtjen, Gjebrea i merr me vete në studio ku i vendos përpara ekranit duke i rreshtuar më të vegjlit përpara.

Ekrani para fëmijëve shfaq imazhin e mësuesve që kanë ardhur e të gjithë shpërthejnë në brohorima entuziaste duke e bërë studion të kumbojë nga zërat e tyre.

Kur sakrificat shpërblehen, mësuesit surprizojnë nxënësit e tyre

Krishtlindjet po trokasin me shumë dashuri në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Surpriza e veçantë vjen nga mësuesit e shkollës “Dëshmorët e Lirisë” për nxënësit e tyre të cilët realizuan një koncert fantastik që iu desh të punonin shumë, të realizonin shumë prova e të sakrifikonin orë të tëra duke arritur një rezultat të përsosur.

Për këtë arsye, mësuesit dëshirojnë t’u shprehin mirënjohjen e vlerësimit përmes rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan duke na dhënë edhe një mësim sesi edhe më të vegjlit meritojnë duartrokitjet e tyre.


Estela Jaho: Zemrat e vockla! Si jeni?

Fëmijët: Mirë!

Estela Jaho: U lodhët?

Fëmijët: Jo!

Estela Jaho: Vërtet?

Fëmijët: Po!

Estela Jaho: Ju munduan provat? E dija! Po mirë, a u kënaqët që jeni këtu?

Fëmijët: Po!

Estela Jaho: Epo mirë pra, kjo ka rëndësi! Zyshat ju kanë thirrur sot për t’ju vlerësuar, për t’ju falenderuar për punën tuaj, për orët e gjata të punës që të gjithë bashkëmoshatarët tuaj ta kuptojnë sesa shumë ju lodheni, sa shumë ju mundoheni që përvec atyre lëndëve që mësoni, Gjuhën, Matematikën, keni edhe studimin, keni edhe orët e orkestrës, keni edhe orët e korit.

Veisla Muçaj: Zyshat ju kanë shumë xhan! Përveç kësaj, ju kemi thirrur këtu që t’ju rikujtojmë atë që jua përsërisim shumë në klasë, në prova, gjatë provimeve, gjatë gjithë kohës që ne ju dam shumë, ju vlerësojmë shumë dhe jemi shumë të lumtur për çfarë ju keni arritur sot dhe çfarë do të arrini në të ardhmen!

Për ta përmbyllur, nxënësit marrin pozicionet e tyre përpara instrumenteve muzikore e duke u vendosur në kor duke dhuruar një koncert fantastik me këngë fëmijësh.

“Shihemi në Gjyq” – Vëllai e strehon, motra irrëmben pronën


“Të lashë gjithçka…”/ Thyhet besimi mes vëllezërve, fut motrën në shtëpi pa pyetur

Nazmiu ka kërkuar të përballet me vëllanë e tij, Agimin në “Shihemi në Gjyq” për shkak të një prone. Ndërmjetësja e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, shpjegoi në hyrje se Nazmiu vjen edhe pas humbjes së bashkëshortes ndaj për të përbën dhimbje të dyfishtë kjo problematikë.

Ai ka ndërtuar një shtëpi në Prrenjas dhe për të ndihmuar Agimin që s’kishte mundësi, mendoi që të dy të ishin bashkëpronarë. Nazmiu është kujdesur që çdo centimetër i shtëpisë të ndahet të barabartë mes tyre.

Më vonë për shkak të disa vështirësive familjare, Nazmiu e la shtëpinë në fshat për të jetuar në qytet dhe në këtë pronë mbeti Agimi.


“Kur jam larguar të kam lënë gjithçka dhe kisha një besim jashtë mase mbi të gjitha gjërat sepse nuk kisha asnjë lloj… jemi ulur me vëllain, kemi sqaruar gjithë anët ekonomike, kemi rënë dakord ku plus, ku minus, çdo gjë ishte në rregull, punët shkonin vaj. Unë po shikoja drejtimin tim, vëllai po shikonte drejtimin e vet. Nuk kishim asnjë lloj problem në këtë drejtim”, i drejtohet Nazmiu vëllait.

Gjatë kësaj kohe, Agimi ndërmori veprimet e tij. Ai vendosi që në pronën e Nazmiut të qëndronte motra sepse donte të mos haste vështirësi në rritjen e fëmijëve. Nga ana tjetër, ai nuk u konsultua asnjë çast me Nazmiun.

Agim: Unë lashë motrën time atje se ishte një çikë në kushte të larta për fëmijë. E kishte më afër dhe unë as ia fala, as ia shita, as bëra.

Eni Çobani: Atë s’e dimë, do ta zbulojmë pak nga pak.

Nazmi: Me mua nuk je konsultuar fare.

Agim: Më vinte gjynah, i kishte në një fshat më larg, nuk e kishte shumë larg, por shkollën e kishte në derë dhe e lashë për të shkolluar fëmijët.

Eni Çobani: Po mirë, a e bëtë shtëpinë bashkë? Si i jep leje motrës ti dhe ky s’di gjë?

Agim: Po unë për humanizëm e lashë.

Eni Çobani: Humanizmin bëje të shtëpia jote, jo e vëllait.

Ardit Gjebrea: Në momentin që e fute motrën brenda, i more leje vëllait?

Agim: Jo, nuk i mora meqë e kishim të përbashkët.

Nazmi: Ky është më skandali!

U strehua në shtëpinë e tij, Nazmiu: Motra më doli pronare!

Tre vjet më parë Nazmiu vendosi të kthehej nga Gjermania për të bërë procesin e legalizimit të shtëpisë që kishte ndërtuar me vëllain, Agimin ku janë bashkëpronarë. Ai tregon për “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se i nisi procedurat e rregullta dhe kishte ardhur momenti për hapin e fundit për matjen e objektit.

Shtëpia ka një sipërfaqe të konsiderueshme, por dy vëllezërit nuk jetojnë bashkë në të sepse secili ka hapësirën e tij. Kur Nazmiu ishte larguar, Agimi kishte lënë në pronën e tij Zyben, motrën e tyre pa e pyetur më parë vëllain.

Kur Nazmiu u gjend në derën e shtëpisë së tij që banohej nga Zybja, pati një përplasje mes nipit të tij e inxhinierit. Më pas, ai mësoi çfarë kishte ndodhur vërtet me pronën.


Nazmi: Mungonte një kartelë që do të bëhej matje faktike e objektit dhe mbyllej procesi i legalizimit.

Eni Çobani: Nisesh ti me inxhinerin.

Nazmi: Shkojmë atje…

Eni Çobani: Troket në derë.

Nazmi: Trokitëm në derë, doli motra, bëri ato procedurat inxhinieri, në kohën që po bënte matjet, vjen djali i saj, ia kapi metrin inxhinierit, ia hodhi, aty ndodhi thyerja. Çfarë ndodhi? Inxhinieri u largua, unë shkova në polici. Policia nuk më ndihmoi, më justifikohej me ca gjëra, kur isha unë duke ikur me makinë, merr në telefon dhe më thotë “mos e shqetësoni atë familje”.

Ardit Gjebrea: Kush? Policia?

Nazmi: Po, “mos e shqetësoni atë familje herë tjetër”.

Agim: Unë nuk i di këto gjëra.

Nazmi: Të kam marrë në telefon direkt, aty dilte ime motër me akt dhurimi nga babai.

Agim: Po babai s’e ka bërë atë mo Nazmi! Babai ka shtëpitë e veta!

Nazmi: Ore po të them dilte me akt dhurimi nga babai!

Ardit Gjebrea: Kjo shtëpi që e ndërtuat ju?

Nazmi: I është dhënë Zybes, motrës sime!

Eni Çobani shpjegon se duke qenë se shtëpia u ndërtua kur Nazmiu ishte ende beqar, babai ka presupozuar që kjo banesë është bërë gjatë kohës kur ai ishte në trungun familjar. Si rrjedhojë, është konsideruar si kontribut i përbashkët dhe babai ia ka dhuruar Zybes pjesën e Nazmiut ndërsa djalit të vogël, pjesën e Agimit.

“Të Panjohurit” – Igera Rapolluri

/tvklan.al