#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
“Gjenerata Alfa” – Miqësia dhe dashuria, Pjesa 2
Të ftuar:
Armand Peza
Anisa Zaçe
“Kujdes shëndetin”- Kanceri i stomakut, zorrës dhe rektumit
“Ka një mesazh për ty” – Një kujtim i paharruar
Hyri në maternitet për të lindur e doli me krahët bosh: Fëmija vdiq në muajin e tetë
Diana është bërë pjesë e rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” me një histori sa frymëzuese, aq edhe të vështirë. Për të na njohur me të, ajo e nis rrëfimin e saj në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan me një nga ngjarjet e forta të jetës, mësimin se babai që e rriti s’ishte ai biologjik. Por pavarësisht se nuk kanë lidhje gjaku, Diana është mirënjohëse e krenare për të dhe nënën e tij.
Diana: Babain tim biologjik nuk e njoha kurrë sepse prindërit e mi u ndanë kur isha një muajshe dhe për fatin e mirë, mamaja ime gjeti njeriun e duhur që të kalonte jetën. Unë nuk e dija që babai im që më rriti nuk ishte babai im biologjik.
Ardit Gjebrea: Kur e more vesh?
Diana: E mora vesh kur më duhej një certifikatë.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe?
Diana: Mund të isha 10 vjeçe. Në atë kohë mora vesh që nuk ishte babai im, por ai është, ai më rriti. Ai jo se më rriti vetëm mua i dashur Ardit, ai më rriti edhe dy fëmijët e mi. Fëmijët e tij atje u rritën. Motrat i kam të shkëlqyera, kam vetëm një vëlla që e dua shumë dhe gjithmonë jam krenare për mamanë time që na rriti me duart e saj, punonte natë e ditë pavarësisht se ishim shumë fëmijë, por ishim të veshur jëri më mirë se tjetri. Makinë qepëse nuk kishte, por i qepte me dorë rrobat që të ishim të veshur.
Në moshën 14-vjeçare, Diana nisi studimet për Agronomi dhe u njoh me gjysmën e zemrës, Robertin. Ai ishte 16 vjeç dhe do të shkonte në ushtri e pas ca mosmarrëveshjesh të vogla, u poqën rrethanat që ata të ishin bashkë. Ende pa bërë 18 vjeçe, Diana mbeti shtatzënë por s’qe fort e lehtë.
Diana: Ngela shtatzënë. Këtu fillon historia ime e dhimbshme.
Ardit Gjebrea: Pse?
Diana: Nuk kishim të ardhura. Me sakrifica të mëdha që bënte burri im, ia kalonim.
Ardit Gjebrea: Si shkoi shtatzënia?
Diana: Shumë keq, kisha shumë dhimbje. S’kisha as dy ditë që kisha hyrë në muajin e tetë. Shkuam në spital, për fat të keq doktori më tha që fëmija yt është i vdekur, do të bësh lindje të parakohshme. Këtu publiku i dashur është më shumë gra, ju e dini që të hysh në maternitet për të lindur dhe të dalësh pa fëmijë ,është gjëja më e dhimsbhme që mund të ketë një nënë. Shkova në shtëpi, kam kaluar një traumë, gjithmonë e mërzitur,qaja.
Dhimbja e së shkuarës ka mbetur pas. Sot Diana është nënë e dy djemve, Elderinit dhe Orgestit.
“Doja të vdisja!” Thuajse iu dorëzua tumorit, Diana para sfidës për jetën: U futa e dola nga dheu!
Diana e gjeti dashurinë e jetës së saj, Robertin kur ishte vetëm 14 vjeçe e ai 16. Ata vendosën të ndërtonin jetën bashkë, por në moshë fare të re, Diana mori një nga goditjet e para të jetës, humbjen e fëmijës ende në bark. Ajo tregon në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se edhe dy shtatzënitë që pasuan prej të cilave ka dy djem, ishin mjaft të vështira.
Pas rënies së regjimit të diktaturës, motra i ofroi të shkonte në Itali ku ajo e Roberti jetojnë edhe sot. Çifti ka qenë i lumtur së bashku, por Diana është gjetur disa herë në beteja të forta shëndetësore në të cilat Roberti s’e ka lënë kurrë vetëm.
Diana: Në 2005 kam bërë operacionin e parë me tumor. Kaloi një periudhë e vështirë, e mora veten, u bëra mirë. Atje, për fat, fillova të punoja.
Ardit Gjebrea: Po bashkëshorti, Roberti?
Diana: Vete e vjen, Roberti më shumë rri këtu sesa atje. Por gjëja më e tmerrshme është se në 2013-ën m’u shfaq prapë tumori, akoma më keq se më përpara dhe tumor agresiv që doktorët nuk më dhanë shpresë.
Ardit Gjebrea: Kush të shërbente, kush të qëndronte pranë?
Diana: Në atë moment, Roberti rrinte pranë, madje ai flinte me legen, më falni për këtë shprehje, me legen te koka, unë flija në krevat, ai rrinte poshtë me legen. Bëra një kimioterapi që edhe një armiku nuk ia uroj këtë gjë. U futa në dhe dhe dola nga dheu! Aq e vështirë ishte sa u thosha fëmijëve nuk dua ta bëj më, dua të vdes! Çunat më thoshin “Çfarë? Ne të marrim me gjithë krevat e të çojmë në spital, ti do të jetosh për ne!”
“Humba kujtesën, mbaja mend vetëm mamin”/ E trembur, Diana i kërkon Robertit një premtim
Diana ka organizuar një surprizë emocionuese për Robertin, shpirtin e saj binjak në “Ka Një Mesazh Për Ty” duke shprehur mirënjohjen për mbështetje të pakufishme që ka marrë nga ai gjatë gjithë jetës së tyre. Ajo ndau me rubrikën e së “Dielës Shqiptare”në Tv Klan momentet e vështira shëndetësore kur ka përjetuar frikën dhe pasigurinë, por ka gjetur ngushëllim dhe forcë tek burri i saj.
Por ajo ka vetëm një kërkesë për të. Edhe pse jetojnë në Itali, Roberti është shumë i lidhur me Shqipërinë e vjen shumë shpesh. Së fundmi, ai shpreson që të mund të përkushtohet në forcën politike në të cilën beson dhe të kthehet në Shqipëri. Diana s’është dakord e ka ardhur t’i bëjë një kërkesë, sidomos pas një episodi shumë të vështirë që i ndodhi një javë më parë.
Diana: Më fal që të lashë 2 net pa gjumë, por jam e lumtur që të bëra këtë surprizë dhe të them, ti e di, ne kemi 45 vjet bashkë, 41 vjet të martuar dhe 45 vjet që njihemi, që jetojmë bashkë. Ne të dy nuk jemi vetëm burrë e grua, ne më shumë jemi si shokë, si një familje e lumtur, pavarësisht se kemi vuajtur shumë se kemi dy djem të shkëlqyer, dy nuse shumë të mira që edhe e dyta po na jep nipin, me 4 nipër të shkëlqyer. Unë ta bëra këtë surprizë se ti meriton çdo gjë në jetë, se ti ke bërë shumë për mua, shumë fare. Kur unë kam vuajtur, ti gjithmonë ke qenë pranë meje. Unë kam fjetur në krevat dhe ti ke fjetur poshtë në tokë…
Robert: Gjithë burrat e kanë për detyrë!
Diana: Jo, jo nuk janë të gjithë burrat që e kanë për detyrë këtë, por ti e di se çfarë më ndodhi mua para një jave. Nuk ta thashë Ardit, e lashë për ta thënë tani në fund. Para një jave, mua më ndodhi një gjë shumë e çuditshme. Vajta te doktoresha ime e familjes për të shkruajtur ilaçet. Atje, ajo më pa që nuk isha mirë. Më mati tensionin dhe tensionin e kisha të lartë. Më dha një gjë për t’u qetësuar. Pastaj unë ngadalë-ngadalë ika që aty, nuk po më kujtohej asgjë. Në atë çast m’u kujtua vetëm mami im. Fillova të merrja mamin tim në telefon, atë e tremba, fillova të qaja e të bëja. Ajo më tha “mos u shqetëso sepse do të të vijë kujtesa”. Sot nuk jemi asgjë në këtë botë prandaj unë të them jemi sot, s’jemi nesër. Unë dua që ti këto vitet që kanë ngelur, nuk e di, mund të vdes edhe nesër, mund të vdes edhe 100 vjeçe, dua që ti të më premtosh të mos më lësh më vetëm, të jesh gjithmonë me mua. Edhe mua nuk më pëlqen të rri në Itali, por ne do të rrimë se unë jam e sëmurë, kam vizitat, kemi familjen, kemi djalin kështu që ne duhet të rrimë. Unë për këtë të kam sjellë këtu që ti të më japësh fjalën që nuk do të më lësh më vetëm se më ndodhi njëherë, mund të më ndodhë herë të tjera.
“Shihemi ne Gjyq” – Gruaja “zgjedh” fisin përballë burrit
“New Artist” shkëlqen në “Këngën Magjike”, Eni Çobani e mrekulluar: Rini që na jep shpresë!
Tri netët e “Këngës Magjike” u finalizuan me garën e fundit të së shtunës ku artistët bënë kilometrat e tyre drejt çmimit të madh. Megjithatë, përtej kupave, secili ia ka arritur që të vendosë gurin e tij në muzikën shqiptare duke sjellë këngë që do t’i rezistojnë kohës, siç tashmë festivali e ka treguar në 24 edicione.
Eni Çobani, e cila ishte e pranishme në natën finale, në nisje të rubrikës “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, pati një urim për Gjebrean e të rinjtë. 8 dhjetori është Dita e Rinisë dhe festivali magjik dëshmoi sërish promovimin e talenteve dhe zërave të veçantë, yjet e të cilëve presin vetëm të ngjiten më lart.
Eni Çobani: Pas një nate të jashtëzakonshme, sikundër ishte ajo e mbrëmshmja, meriton të gjithë duartrokitjet, jo vetëm tonat por të gjithë shqiptarëve.
Ardit Gjebrea: Faleminderit! kë do të përshëndesim sot?
Eni Çobani: Sot, ditën e kemi të veçantë, është data 8 dhjetor, besoj që të gjithë shqiptarët e dinë, është në fakt një ditë feste sepse është Dita e Rinisë dhe ku ka më bukur që të kesh rini të përjetshme! Por më lejoni besoj në emër të publikut dhe të gjithë shqiptarëve që po na ndjekin, unë e kam këtë fat që e kam në krah Arditin dhe dua t’i them vetëm një kompliment të veçantë, jo veç për këngëtarët “Big” të cilët kanë karrierën e tyre dhe ne i njohim prej vitesh, por për kategorinë “New Artist”. Ishte vërtet një mrekulli prandaj rinia dhe ajo rini që shkëlqeu në këtë skenë na jep shpresën dhe motivimin që do të kemi këngëtarë të jashtëzakonshëm në të ardhmen. Bravo, bravo pikërisht për përkrahjen e këtij brezi të jashtëzakonshëm Ardit! Ishte kënaqësi e veçantë!
E pazakontë, babai me 8 fëmijë zgjedh dhëndrin si kujdestar
Llambi deklaron në insertin prezantues të rubrikës “Shihemi në Gjyq” se “nuk është kazan plehrash”. Ai ka kërkuar që në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, të përballet me bashkëshorten, Donikën.
Sipas asaj që shpjegon Llambi, vjehrri i tij, z. Kozma i cili nuk jeton më, i kishte lënë një prokurë kujdestarie për shëndetin dhe veprimet ligjore. Kjo tingëllon paksa e çuditshme sepse bashkë me Donikën, ai kishte lënë pas 8 fëmijë. Megjithatë, Donika ‘e uron’ burrin për prokurën, ndërsa konfirmohet se ajo ka kryer veprime të paligjshme me të.
Llambi: Unë e di që babai i saj kishte 8 fëmijë, 5 çupa, 3 djem por në fund të fundit, në hallet e problemet e tij kam qenë unë i pari që kam shërbyer, në spital, te shoku, te miku, në kemp dhe duke e parë që unë…
Donika: Po pastaj se i shërbeve, çfarë do të thotë kjo?
Llambi: Moj zonjë, më dëgjo deri në fund se pastaj do ta them unë dhe më ka zgjedhur kujdestar për shëndetin e tij.
Eni Çobani: Pse, ishte paqejf pra që ta dimë? Nuk jeton më apo jo?
Llambi: Nuk jeton më, më vjen keq. I kërkoj ndjesë që e kujtoj. Më ka zgjedhur kujdestar për shërbimin e shëndetit të tij, njëkohësisht edhe për të ndjekur çdo procedurë ligjore për atë. Por kjo zonja nuk do të dijë për këto se më zgjodhi ai, nuk e zgjodha unë atë.
Donika: Ishte zgjedhje e tij. Edhe mua më kishte vajzë, edhe atë tjetrin e kishte nip.
Llambi: Po pse nuk të zgjodhi ty, por më zgjodhi mua? Sepse i shërbeva dhe i shërbeja edhe atij, edhe mamasë tënde bashkë.
Donika: Shumë mirë që të zgjodhi ty!
Llambi: Si moj?
Donika: Shumë mirë bëri që të zgjodhi ty!
Llambi: Konflikti ka filluar sepse kjo zonja, pasi unë isha person që do të përgjigjesha si për shëndetin edhe për të tëra, mua më ka lënë edhe prokurë të posaçme dhe kjo zonja një ditë shkon në Vlorë dhe me atë bën një deklaratë noteriale në kundërshtim me ligjin dhe me dëshirën time se babai yt më zgjodhi me vullnet të lirë?
Donika: E çfarë do të thotë? Çfarë pune të prish ty?
Eni Çobani: Po si, bëre deklaratë mbi prokurën që ka vënë babai?
Llambi: Po, po!
“U rrahën për dashuri!” Përleshja e çuditshme e Shën Valentinit kulmon me shpifjen absurde
Llambi është shumë i prekur nga fakti që prokura e cila vjehrri i ndjerë i kishte dhënë duke e lënë si kujdestar të tij në vend të 8 fëmijëve, është përdorur në mënyra të ndryshme. Ai përballet në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan me Donikën, gruan e tij që e ka përdorur prokurën për të lejuar nipin që të përdorte pronën.
Prej 20 vjetësh, ka një konflikt mes Llambit dhe familjes së Donikës që i ka bërë akuza të ndryshme duke e quajtur edhe vjedhës. Donika refuzon të pranojë gabimet e saj dhe thotë se gjithçka do të bëhet nga e para.
Një tjetër problem është rruga ku ndodhet prona pasi pak metra më tutje ndodhet edhe shtëpia e çiftit, por nipi ia ka bllokuar hyrjen. Donika i thotë se Llambit se ai nuk e ka zgjidhur këtë problem, kurse ky i fundit i kujton një episod paksa të çuditshëm.
Donika: Zonja Eni, unë kam punuar 38 vjet!
Eni Çobani: Po shumë mirë që ke punuar!
Donika: Kur kam vajtur te ky zotëri, e gjeta me një lopatë bishtgjatë dhe një palë opinga llastiku! Kam punuar 38 vjet!
Eni Çobani: Si, ky s’ka punuar fare?
Donika: Edhe ai ka punuar, edhe unë kam punuar!
Llambi: Moj lëre punën ti!
Donika: Ore zotëri, se të mora që nga “A”-ja dhe ke vajtur te “Zh”-ja. O znj. Eni, është bërë me dy shtëpi, me një shtëpi në Itali, me një shtëpi në Shqipëri dykatëshe, me dy makina, një në Itali, një në Shqipëri. Kur e gjeta unë, vetëm një lopatë kishte dhe një pelë me karro!
Llambi: Me pela ishin të gjithë, kush kishte pelë, ishte i pari në atë kohë po ulu atje! Në 2017-ën, për problemin e rrugës, na thirrën atje se pati një zënie… u rrahën në parcelë! Ai kishte dhënë tokën me qira, u rrahën me kunatin e kësaj, me vëllain e kësaj, 14 shkurt, ditën e Shën Valentinit! U rrahën për dashuri!
Donika: Shumë mirë u rrahën, në një ditë të shenjtë, ti ç’punë ke? Ç’punë të prish ty se u rrahën ata ditën e Shën Valentinit?
Llambi nuk e lë më kaq, por tregon se edhe është shpifur për të sikur ka qenë në burg. Kësaj Donika i përgjigjet në mënyrë absurde dhe thotë se “burgu për burrat është”, pavarësisht se i shoqi s’ka vuajtur ndonjë dënim.
Llambi: Në 19 korrik të 2017-ës, kishte motra e kësaj një dasmë. Nuk arrita të vija, kisha prerë edhe biletën e avionit bashkë me djalin, kjo sa kishte filluar punë, unë sa kisha filluar punë. Mirëpo, çfarë ndodhi? Unë për motivet e punës sime, atje kontrollohesha nga prokuroria, policia, gjykatat e të tëra për të mos pasur asnjë denoncim, asnjë shkelje.
Eni Çobani: Po, e çfarë ndodhi pastaj?
Llambi: Tani, shteti italian, unë plotësoj formularët e s’kisha asnjë lloj denoncmi ose prokurë në kundërshtim, u interesuan në komisariatin e policisë së zonës se mos kisha gjë në proces, ata morën vesh këtë dhe çfarë nxorën znj. Eni? Nxorën që Llambi ka rënë në burg prandaj nuk erdhi këtu!
Donika: Nuk është problem, burgu është për burrat! Do dilje prapë!
Eni Çobani: Po mirë, ka qenë në burg?
Donika: Jo, nuk ka qenë në burg!
Eni Çobani: Po mirë atëherë, pse duhet të shpifet që ka qenë në burg Llambi?
Donika: S’ka gjë!
Eni Çobani: Si s’ka gjë?
Donika: Burgu për burra është!
Gabimi i pakthyeshëm sjell fundin e 38 viteve martesë, Llambi largohet pa e kthyer kokën pas
Puntata e rubrikës “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan mbyllet me fundin e martesës 38-vjeçare të Llambit e Donikës. Deri në fund, Donika mbron familjarët duke mohuar e hedhur poshtë akuzat e Llambit se prokura që vjehrri i tij i ndjerë i kishte lënë, është keqpërdorur prej tyre.
Ai është i rënduar nga shpifjet dhe akuzat e shumta ndaj tij. Sërish Llambi numëron problematikat e tyre dhe i kërkon që ta zgjidhë problemin me nipin që ai t’i lirojë shtëpinë, të paguajë edhe shpenzimet ose mes tyre vjen fundi. Donika duket se zgjedh alternativën e dytë dhe i thotë “ik”. Llambi mbledh gjërat dhe bëhet gati për t’u larguar.
Llambi: Znj. Eni, e shikoj që kjo zonjë nuk ka as kthim, as të më vlerësojë punën time, por mbro kunatën tënde, mbaj nipin tënd se mua dhe fëmijët e mi, jam unë i zoti!
Donika: Te fëmijët e mi kam pjesë edhe unë, i kam rritur, i kam edukuar, i kam shkolluar!
Llambi: Unë nuk i mbaj dot më përsipër të gjitha shpifjet, të gjitha padrejtësitë sepse nëse unë do të vija në atë parcelë, të më dilte përpara ai nipi yt, ti e dije si do të përfundonte muhabeti! Dhe po që aq i zoti të më dalë se ka bërë edhe kërcënime! Të më vijë, e pres me kënaqësitë më vijë! Znj. Eni, të jap dorën, mirupafshim!
Moderatori i programit, Ardit Gjebrea e ndalon Llambin duke i bërë të ditur se publiku ka votuar. Ai pret të shohë vendimin, i cili është në favor të tij. Ai përmend edhe faktin që drejt tij ka një tjetër shpifje, sikur pusi që familjarët e Donikës kanë hapur, është tentativë e Llambit për të vrarë kunatën e saj. Donika nuk thotë asnjë fjalë, ndaj Llambi dorëzohet dhe braktis studion.
Llambi: Unë shoh se s’po mundem sot me këtë! Unë po bëj kohë që kjo thotë vetëm nipi i saj dhe kunata e saj kanë të drejtë. Unë po largohem!
Donika: Ke 38 vjet me mua! Sot do ta shkatërrosh familjen ti? Me 4 fëmijë, me 6 nipër e mbesa?
Llambi: Këtë e ke bërë ti që nga dita e parë e shkeljes së asaj kontratës dhe asaj prokure. Ti edhe sot po mbron ata! Nuk po më jep të drejtë! Ti nuk po më jep të drejtë! Të gjithë gabojnë, nuk ka njeri të mos gabojë, i pagabueshëm s’është asnjë në këtë botë, por ai që nuk kthen ai është më i gabuar akoma! Ika znj. Eni, ju falenderoj për mikpritjen! Z. Ardit, kënaqësi që u takuam!
Donika: Rrugë e mbarë të qoftë!
“Postfestival”- Kënga Magjike 2024/ Çfarë ndodh pas saj – 8 Dhjetor 2024
Edicioni i 24-t i “Kënga Magjike” u kurorëzua me 47 këngë në netët finale.
“AKOMA” nga Rozana Radi & Sany Dimitri u shpall kénga fituese.
Në studion e “E Diela Shqiptare” këngëtarët diskutojnë ekskluzivisht prapaskenat e festivalit dhe detaje ekskluzive nga këngët e tyre.
Incidenti gjatë zbulimit të gjinisë, Xheisara e pret me humor: Mendova se fitova bastin
Përmes një surprize të veçantë në Pallatin e Koncerteve, Xheisara ndau në natën finale të “Këngës Magjike” lajmin se do të bëhet nënë për herë të parë. gjithashtu, përmes dritave të skenës ajo mësoi gjininë e bebit, ndonëse ndodhi një ngatërresë e vogël.
Fillimisht dritat ishin blu e më pas kaluan në rozë duke konfirmuar se është në pritje të një vajze. Duke e komentuar këtë në post “Kënga Magjike” në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Xheisara tha se ishte e sigurt se do të qe djalë e madje mendoi se kishte fituar një bast.
Xheisara: Dje kam qenë shumë e emocionuar dhe kisha një mal me emocione. Në momentin e parë që e kam parë blu mendova që kisha fituar një bast që e kisha vënë me mikun tim më të mirë që kishte gjatë gjithë kohës që më thoshte ti do të bësh një vajzë dhe unë i thoja që jo, unë do të bëj një djalë. Unë e thashë që gjithë jetën kam dashur të kem një vajzë, por nuk e di pse qëkur kam qenë shtatzënë, dshira ime ishte që të kisha djalë dhe isha fiksuar që unë beben e kisha djalë. Kur doli djalë aty, thjesht pata një reagim të menjëhershëm se isha unë ajo që e gjeta, ishte ajo ndjesia e mëmësisë që okej, ia dola. Kur na e ndërroi Aldo që ishte vajzë, patjetër që jam shumë e lumtur për arsyet që i thashë, por më bëri pak konfuze. Do të shkoj ta kontrolloj edhe njëherë tjetër se nuk jam shumë e sigurt. (qesh)
Ardit Gjebrea: Shiko, ndoshta ai gabim nuk u bë rastësisht. Bëj shaka, nuk di ka gabuar doktori apo jo.
Xheisara: Gjithsesi, unë jam shumë e lumtur për këtë pjesë dhe jam shumë e lumtur që e ndava këtë gjë mes jush dhe patjetër do të jem mami i një vajze, shpresoj që të bëhet edhe ajo një ditë superstar.
“Nga spektaklet më të mira”, Kleart Duraj zbulon përshtypjet e Sony dhe Warner për “Këngën Magjike”
Kategoria “New Artist” mori një vëmendje të veçantë në “Këngën Magjike” pasi në natën finale të saj nuk u vlerësua vetëm më i miri, por pati çmime edhe për performancat e tjera. Sareta Bega mori çmim nga Warner Music, ndërsa Jett nga Sony Music Entertainment.
Kleart Duraj, anëtar jurie dhe përfaqësues i këtyre shtëpive diskografike për Shqipërinë dhe Kosovën, zbulon në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, përshtypjet e përfaqësuesve për festivalin magjik.
Kleart Duraj: Kam përshtypjen që mund të gjykohet pak si e anshme eksperienca ime kështu që nëse më lejon, unë dua të ndaj opinionet e atyre dy partnerëve të mi ndërkombëtarë, nga Menart, përfaqësuesi ekskluziv i Sony për gjithë Ballkanin Perëndimor dhe të Dancing Bear që është i Warner Music të cilët u mahnitën me nivelin e spektaklit dhe të festivalit të “Këngës Magjike”. Mos të kalojmë në krahasime të shumta, por pa diskutim në nivelin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, është nga spektaklet më të mira të prodhuara dhe ky është opinioni i tyre, për nivelin e artistëve që marrin pjesë, këngëve, produksionin e tyre, tekstet, pastaj kur kalon përshrkimin e spektaklit në skenë që do të thotë skenografia, ndriçimi, gjithë paketimi i të gjitha akteve. Është një festival që u jep mundësinë artistëve dhe sidomos atyre të rinjve që të nisin një karrierë dhe të shfaqen përpara publikut. Kjo nuk është e vetmja gjë, kjo shkon edhe diçka më tej sepse ky spektakël organizohet nga Tv Klan që u jep mundësinë që këta artistë të vazhddojnë të transmetohen në të gjitha rrjetet e Tv Klan, në radio dhe jo vetëm, në rrjete sociale, në platforma dhe arti i tyre e artistët vetë të jenë gjithë kohën në vëmendjen e publikut dhe ky është një promovim shumë i rëndësishëm.
“Ke bërë qoka!” Anxhela Peristeri u përgjigjet akuzave të Tiri Gjocit: Këngët e tjera ishin më të bukura se jotja!
Në post “Kënga Magjike” që mbahet në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan është traditë që të diskutohen jo vetëm arritjet, çmimet e festivalit, të falenderohen bashkëpunëtorët e mbështetësit e këngëtarëve, por të trajtohen edhe pakënaqësitë mes njëri-tjetrit.
Tiri Gjoci mori fjalën gjatë temës së pikëve duke shprehur pakënaqësi fillimisht ndaj Andi Vrapit që e kishte votuar me 22 pikë. Por nuk mbaroi me kaq pasi ai kishte rezerva edhe ndaj Anxhela Peristerit që e ka vlerësuar këngën e tij, “Mos ik o ma”, me 4 pikë. Sipas Tirit, vlerësimet e saj kanë qenë ‘qoka’, ndërsa Anxhela s’trembet për t’i bërë pyetje të drejtpërdrejta.
Tiri Gjoci: Çfarë kishte më shumë ajo që ishte me 6 pikë më shumë sesa kënga ime? Kaq.
Anxhela Peristeri: Tiri, dëgjo, të gjithë artistët që janë këtu sot mendoj që janë të votuar nga unë, fatmirësisht kanë ardhur nga këta artistë që të të ngrija ty?
Tiri Gjoci: Zemra, ke bërë qoka nga fillimi deri në fund.
Anxhela Peristeri: Kjo është pyetja që po të bëj unë ty.
Tiri Gjoci: Ke bërë qoka nga fillimi deri në fund. Ke votuar ata që këndon nëpër ‘live’…
Anxhela Peristeri: A ka mundësi t’i përgjigjesh pyetjes?
Tiri Gjoci: Është diçka që përsëritet vit pas viti.
Anxhela Peristeri: Këngët e mia të preferuara kanë dalë të gjitha në treshe, Rozana Radi, Ronela Hajati, Pirro Çako dhe Arilena Ara…
Ndërsa Anxhela vijon t’i përmendë të gjithë këngëtarët që ka vlerësuar dhe çfarë veçon nga këngët e tyre, Tiri i kundërvihet me një kompliment që ka marrë prej saj në ‘afterparty’. Anëtarja e jurisë u përmbahet fjalëve të saj, por s’ngurron ta përmbyllë diskutimin duke i përplasur një të vërtetë në sy këngëtarit.
Anxhela Peristeri: Kënga jote nuk ishte në shijet e mia se më pyete dhe pastaj mund të flasësh! Mua mos më thuaj për qoka sepse unë jam e vetmja këngëtare që nuk kam bërë qoka as kur kam qenë në konkurrim! Votat e mia janë të dukshme dhe këngëtarët i ke këtu!
Tiri Gjoci: Mbrëmë jemi takuar te ‘afterparty’ dhe më ke thënë Tiri, më ke bërë për të qarë.
Anxhela Peristeri: Po, më ke bërë për të qarë, është e vërtetë.
Tiri Gjoci: E pashë, sa më ke votuar me 4 pikë.
Anxhela Peristeri: Më ke bërë për të qarë sepse ke një këngë me tematikë që vërtet të bën për të qarë, por unë këngë me tematika kaq të dhimbshme nuk i pëlqej dhe këtë e dinë të gjithë sepse mua më futin në një gjendje depresive që nuk dua ta përjetoj.
Andi Vrapi: Sa pikë ka dashur se 22 nuk i pëlqejnë, 4 nuk i pëlqejnë, sa pikë doje?
Tiri Gjoci: Nuk ka lidhje fare me pikët.
Andi Vrapi: Po atë po na përmend.
Anxhela Peristeri: Që ta mbyllim këtë diskutim, për mua këngët e tjera ishin shumë më të bukura se kënga jote.
“Si mund të më vësh 0 pikë?” Përplasen ashpër dy këngëtarët: S’e kam dëgjuar fare këngën tënde!
Tiri Gjoci është një nga artistët që shpreh pakënaqësi ndaj kolegëve e jurisë në post “Kënga Magjike” që mbahet në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Pas përplasjeve me Andi Vrapin e Anxhela Peristerin, moderatori Ardit Gjebrea i solli ndërmend se ai ka votuar me 0 pikë shumë prej artistëve, ndër ta edhe Xheisara që është vlerësuar si një nga performancat më të mira të kategorisë “New Artist”.
Xheisara e pyet drejtpërdrejt se çfarë nuk i pëlqeu te kënga e saj duke i renditur të gjithë elementët. Tiri thotë se në listën e tij, kënga e Xheisarës ishte e renditur në vend të 18-të.
Xheisara: Nëse unë isha e 18-a në radhë, ti ishe shumë më poshtë. Nëse ti kishte një këngë që vërtetë unë nuk ta kam dëgjuar fare po fare, se që nga titulli, unë kam qenë shumë e ndjeshme këtë periudhë, s’e kam humbur babain dhe kam qenë shumë e ndjeshme. Në asnjë moment nuk e kam dëgjuar këngën tënde dhe kur ti ke kënduar, unë kam preferuar të dal jashtë mos ta dëgjoj, sepse unë jam shumë e ndjeshme. PPor përsëri unë, duke pasur parasysh se ishte një tekst shumë i mirë dhe se ti je një këngëtar shumë i mirë, në asnjë moment nuk të lashë pa pikë.
Tiri Gjoci: Faleminderit shumë për të gjitha ato fjalët, por çfarë lidhjeje ka kjo me 0 pikëshin që të dhashë?
Xheisara: Po patjetër që ka lidhje me 0 pikëshin mo! Si mund të më japësh ti mua 0 pikë?
Tiri Gjoci: Po pse mo shpirti ça je ti që si mund të më japësh ti mua 0 pikë? Avash mo zemra qetësohu!
“Juria e vërtetë jeni ju!” Gjebrea rrëzon mitin e paracaktimit të fituesit: Gishtin mbajeni te vetja
Stiv pati një nga këngët më virale në “Këngën Magjike”, por kjo nuk i ka mjaftuar këngëtarit. Në post “Kënga Magjike” që mbahet në programin e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ai pyeti Marsela Çibukajn nëse kënga e tij meritonte 0 pikë prej saj. Sipas tij, juria duhet të ketë standarde të tjera vlerësimi nga ato që kanë vetë artistët.
Në këtë pikë ndërhyri Ardit Gjebrea duke i renditur Stiv një mori artistësh që ai i ka vlerësuar me 0 pikë si dhe faktin që ai vetë ka qenë në kategorinë e artistëve të rinj që sapo ka kaluar si “Big”. Producenti i “Këngës Magjike” iu drejtua jo vetëm atij, por të gjithëve që kanë kundërshtime për pikët pasi fletët e tyre të votimit flasin vetë dhe kanë peshën më të madhe.
Gjebrea përmendi edhe debatin e përhershëm që rrethon festivalin (ndonëse jo vetëm “Këngën Magjike) për paracaktimin e fituesit duke theksuar se juria e vërtetë në këtë sistem votimi janë artistët.
Ardit Gjebrea: Për mua nuk bën sens sepse ju duhet të kuptoni vetëm një gjë. Në këtë festival pikët tuaja janë gjithsej 15.752 pikë i kanë vetëm artistët, pra ju jeni juria, nuk është juria kryesore as juria dhe as publiku, ju jeni juria që vendosni që do të thotë në fund të ditës ja ku jeni ju këtu se po të ishte vetëm për jurinë ose vetëm për publikun, mund të ishin edhe këngëtarë të tjerë këtu që nuk kanë kënduar dhe është ky sistemi cili nuk e paracakton fituesin që të jemi të qartë se gjithmonë flitet “paracaktohet fituesi”, në cilin rast? Ju votoni vetë për njëri-tjetrin dhe ju jeni juria. Juria që sheh ti këtu ka gjithsej 3580 pikë në dispozicion, ndërsa juria e këngëtarëve ka 15.752 dhe juria e natës finale e “Këngës Magjike”, e publikut ka 1350. Pesha e madhe jeni ju dhe për sa kohë që ju jeni juria kryesore, gishtin mbajeni te vetja, mos u merrni me jurinë se ata s’kanë as ¼ tuaj në dorë. Ju e keni peshën e madhe! Juria e vërtetë jeni ju!
“Keni 3 javë që u bëni fresk Arilenës e Pirros!” Andi Vrapi s’kursehet: Tani që e ftohët, u largua..
Në post “Kënga Magjike” që është traditë e përhershme e festivalit dhe mbahet në programin”E Diela Shqiptare” në Tv Klan, pati një tjetër përplasje mes Tiri Gjocit dhe Andi Vrapit. Pas debateve të mëparshme mes këngëtarit të “Mos ik o ma” dhe gazetarit, Tiri vazhdoi duke thënë se nuk është vlerësuar si duhet nga juria e kolegët.
Mes artistëve, ai veçoi Fifin si një nga ato që i ka dhënë 30 pikë e duke vijuar ta vendoste në nivel sipëror në raport me konkurrentët e tjerë. Vrapi u kundërpërgjigj duke i thënë se pas tri javësh që artistët ankohen për paracaktimin e çmimit dhe tërheqjen e emrave që janë lakuar mes tyre se do të ishin fitues, kanë besim te materialet e tyre muzikore.
Tiri Gjoci: Me thënë të drejtën, nga ky festival mora 30 pikët e Fifit dhe jam shumë i lumtur sepse tani, unë vetëm para 3-4 ditësh e kam njohur Fifin, nuk e njihja, tani më bën sens gjithë gjëja, pse Fifi ka atë sukses që ka, pse është ajo që është dhe pse ka më shumë sukses se 99.99% e artistëve që gjenden këtu.
Andi Vrapi: Vetëm se të dha 30 pikë?
Tiri Gjoci: Po patjetër, se më dha mua 30 pikë, la tre artistët e vet jashtë 30 pikëshit.
Andi Vrapi: Ardit shiko se kjo është shumë për të qeshur se kemi 3 javë që i dëgjojmë që ankohen, kanë ardhur për t’u bërë fresk Arilenës dhe Pirros, por më duket se Pirron e ftohën dhe ngeli jashtë Pirro.
Tiri Gjoci: Për të qeshur është Beyonce që ke dëgjuar ti në koncert, nuk janë këto për të qeshur.
Andi Vrapi: Keni tre javë që ankoheni që çmimi do i jepet Pirros dhe Arilënës, tani na dilni që keni vetëbesim.
Tiri Gjoci: Kush është ankuar?
Andi Vrapi: Shumica prej jush.
Tiri Gjoci: Mos m’u drejto mua.
Andi Vrapi: Ti kur u drejtove këtej nga juria na fute të gjithëve,edhe ty po të fus bashkë me të tjerët që ankoheni për Pirron dhe Arilenën që keni ardhur për t’u bërë fresk dhe nga ana tjetër e ftohët Pirron dhe u largua e tani ju doli vetëbesimi për këngët që i paskeni.
Për herë të parë, Ardit Gjebrea zbulon sekretin e sistemit të votimit të “Këngës Magjike”
Nisur nga përplasja mes Tiri Gjocit dhe Andi Vrapit në post “Kënga Magjike” për sistemin e pikëve, mosvlerësimin e tyre dhe fjalët mes artistëve se fituesi është i paracaktuar, Ardit Gjebrea mori fjalën për të qartësuar të gjitha palët.
Drejtuesi i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan dhe producenti i festivalit magjik, shpjegoi për herë të parë sekretin e sistemit të votimit. Në thelb, sistemi ka një parim të thjeshtë: artistët janë juria e madhe dhe e vërtetë e festivalit. Duke pasur vetë ata në dorë pjesën dhe peshën më të madhe të pikëve, kjo nxjerr në pah artistët e vërtetë.
Ardit Gjebrea: Për sa i përket kësaj që sapo tha Andi, gjithmonë edhe shkruhet, edhe spekulohet, vetëm një gjë duhet të keni parasysh: sistemi i votimit që ju të gjithë po merreni pse më dhe mua zero, gjithmonë shijet janë subjektive dhe këtë gjë nuk e them unë, por e thonë të gjithë. Askush nuk mund të thotë pse ti kështu dhe pse ti ashtu? Çfarë bën ky sistem votimi dhe cili është sekreti i këtij sistemi që po e them sot për herë të parë. Çfarë ndodh me Festivalin Europian të Këngës? Aty votohen vetëm 10 këngë dhe marrin pjesë 42 dhe një natë janë 26 këngë, në natën tjetër, natën finale dhe bëhet votimi i këngëve. Në “Këngën Magjike”, fillimisht më kujtohet njëherë kur ka fituar në një festival Ema Bytyçi, kanë qenë vetëm 17 këngëtarë në natën finale, kanë votuar, u kam dhënë unë nga 10 mundësi pikë për të votuar, asgjë sepse doja të imitoja Festivalin Europian, pastaj thashë jo. Në llogaritjet matematikore, sa më shumë mundësi dhe sa më shumë pikë që ti t’u japësh artistëve, aq më shumë ka shanse të dalin artistët e vërtetë të klasifikuar në këtë mënyrë,mund të lëvizin shumë pak, por më besoni për një gjë, ju mos u merrni me gjërat e vogla, merruni pak me gjënë e madhe. “Është i paracaktuar fituesi”. Si? “Po se flitet”. Mua vetë kam tre raste që kam dashur të tërhiqeshin nga festivali se “është i paracaktuar fituesi”. Kush? Dhe vinin emrat. Po si, a do të votoni ju për njëri-tjetrin se ju jeni juria? Pra edhe njëherë nguleni në mendje këtë gjë.
Gjebrea adresoi edhe ankesat e dikurshme që duhej të merrte një juri, çka ndodhi në edicione të mëvonshme të festivalit. Më pas u kërkua vota e publikut që siç e pamë në “Kënga Magjike 2024”, u realizua. Producenti shtoi se vitin e ardhshëm ka konsideruar një juri të huaj ndonëse i pret edhe kritikat se duke qenë të tillë, nuk do të vlerësojnë si duhet. Por sërish, pesha kryesore mbetet te artistët.
Ardit Gjebrea: Jeni ju pesha e madhe! Jeni ju që duhet të ankoheni për njëri-tjetrin, pastaj juria. Ju jeni juria e madhe! Dhe si mund të përcaktohet se kush do ta fitojë këtë festival që më përpara kur ju vetë, secili nga ju do çmimin e parë dhe prandaj po bëni gjithë këtë debat këtu se secili nga ju e do çmimin e parë në këtë festival!
Më tej, Gjebrea vijon duke thënë se ka pasur edhe artistë, madje shumë të njohur por pa zbuluar emra, që i kanë thënë se në festival duhet kënduar me playback’. Ai e sheh ndryshe, si një mundësi që artistët të këndojnë por thekson se gjithçka është për ta, edhe sistemi i votimit e ky i fundit është i pakorruptueshëm. Gjebrea nuk e lë me kaq por qëndron transparent deri në fund duke u lënë në dispozicion edhe verifikimin e votimit të publikut.
Ardit Gjebrea: “Kënga Magjike” është një mundësi. Shumë vetë më kanë thënë pse nuk e rikthen ‘playback’ në “Këngën Magjike?” Ka qenë një luftë imja me disa artistë të cilët mendojnë që muzika sot nuk është më muzika e të kënduarit ‘live’ dhe festivali i “Këngës Magjike” nuk duhet bërë live sepse këngët e vërteta janë ato që dëgjohen në Spotify, videoklipe etj. Në qoftë se ju e mendoni si disa të tjerë, edhe artistë me emër, ma thoni tani sepse ky festival qëkur ka lindur, ka lindur si një festival i juaji, jo imi. Unë mundohem pafund, pafund që të bëj një gjë të mirë për ju dhe kam gjetur një sistem që të jetë i pakorruptueshëm. Votat e publikut, i keni numrat e telefonit aty, shkoni dhe shihini. Është shumë e rrallë që dikush t’i nxjerrë të gjithë numrat siç i nxjerr “Kënga Magjike”, është shumë e rrallë që dikush t’ju thotë merrini numrat e telefonit, shkoni dhe verifikojini. Çdo gjë që del është transparente
Mbi të gjitha, Gjebrea ka një ftesë për artistët, të shohin përtej pikëve. Së pari, “Kënga Magjike” është një platformë për këngët e tyre. Së dyti, në dispozicion të këngëtarëve vendosen profesionistët më të mirë të festivaleve. Së treti, është e pamundur që fituesi të paracaktohet.
Ardit Gjebrea: Ejani dhe shfrytëzojeni këtë festival për sa kohë që është sepse çfarë do mbetet nga unë, ky diskutim? Çfarë do mbetet nga festivali i “Këngës Magjike”, prezantimi im? Çfarë do mbetet? Do mbetet kënga juaj. Juve ju vjen stafi i Sanremo-s, stafi i Festivalit Europian dhe këto janë investime, këto janë të trokitura nëpër dyer që t’ju krijohen kushte të jashtëzakonshme që ju të keni mundësi të këndoni në një skenë dhe e dini si më tha dikush, një nga italianët? “Ato nuk ishin këngë, ato ishin videoklipe dhe janë një dhuratë shumë e bukur për artistët”. Ky është mundi dhe puna jonë dhe në jetë të jetëve sa të ekzistojë “Kënga Magjike” me këtë sistem votimi, kurrë nuk do të ketë artistë të paracaktuar që ta fitojnë këtë festival, as edhe një herë sepse nuk i lejon sistemi i votimit.
Rozana Radi u jep fund aludimeve, sqaron raportin me Sany
Rozana Radi dhe Sany Dimitri triumfuan në garën e “Këngës Magjike” me “Akoma”. Në fjalën e saj në postfestival në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Rozana mori fjalën për të shprehur jo vetëm falenderimet, por edhe bindjen se këtë vit ia ka dalë të fitojë mes më të mirëve.
Rozana Radi: E para, i falenderoj të tgjithë pjesëmarrësit në “Këngën Magjike”, ata që na kanë votuar, ata që na kanë votuar më pak. Ky festival, unë kam marrë pjeesë në shumë festivale “Kënga Magjike”, njëherë kam qenë fituese, kam marrë pikë nga njerëz që edhe nuk kam komunikim me ta. Ne kemi fituar këtë vit me më të mirët. Unë mendoj që ky festival ka pasur prurjet më të bukura të gjithë “Këngës Magjike” ndonjëherë.
Ajo nuk la mënjanë as një sqarim për lajmet e aludimet që kanë qarkulluar për shkak të performancës së saj me Sany se ka një raport personal mes tyre. Mes fituesve të “Këngës Magjike 2024” s’ka asgjë veç skenës e artit.
Rozana Radi: Do të doja të sqaroja një kleçkë të vogël: unë me Sany nuk jemi të dashur, nuk jemi burrë e grua, nuk jemi asgjë. Kemi ndarë vetëm skenën, asgjë tjetër, sa për sqarim për të gjithë. Kjo mbaroi kjo gjëja këtu. Ju falenderoj të gjithëve për mundësinë që na dhatë të ndihemi në ‘backstage’ si artistë europianë. Faleminderit shumë!
(Mos)reagimi i Sany pas njoftimit të fitores, Rozana Radi: S’e kuptoi që fituam!
Në përfundim të post “Këngës Magjike” në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, fituesi i çmimit të parë, Sany Dimitri që për shkak të gjuhës nuk u përfshi në diskutim, pati vetëm diçka për të thënë.
Sany Dimitri: Sapo kuptova që grekët dhe shqiptarët janë si dy shokë që jetojnë vetëm ca orë larg, thjesht flasin në një gjuhë tjetër. Ky është debati më i keq që kam marrë pjesë dhe jam shumë i lumtur që nuk do të zihem me njeri sot.
Në natën finale të “Këngës Magjike”, reagimi i Sany Dimitri në njoftimin e fitores pushtoi rrjetin. Këngëtari dukej tërësisht i qetë teksa Rozana Radi përqafoi Kamela Islamajn. Këngëtarja shpjegon se në fakt ai s’e kishte kuptuar aspak ç’po ndodhte.
Rozana Radi: Në momentin që u shpallëm fitues, Sany mendoi se fitoi Kamela se unë përqafova Kamelën dhe priste që të përqafonte Kamelën në atë moment.
Ardit Gjebrea: Po mirë gjuhën, por edhe numrat i kanë ndryshe?
Rozana Radi: Nuk e kishte mendjen se unë përqafova Kamelën, aty ishte Ronela, tha njëra nga këto të dyja, u hutua komplet.
/tvklan.al