#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
“Gjenerata Alfa”– A e dinë prindërit ç’ndodh me fëmijët e tyre
“Kujdes shëndetin” – Virozat, vaksinat dhe antibiotikët
“Ka një mesazh për ty” – Një martesë aventurash
I vunë djalit emrin e Ardit Gjebreas, historia e tij ‘përndjek’ çiftin
30 vitet e martesës së Sanies dhe Sylës kanë qenë një përrallë e vërtetë. Sania kujtoi në “Ka Një Mesazh Për Ty” njohjen e tyre në shtëpinë e saj në Gjakovë e më pas pritjen që të tejkalonin disa peripeci të vogla për të filluar jetën bashkë.
Historinë e dashurisë së tyre ajo e përshkruan si një adoleshencë, një muaj mjalti dhe nuk i ka ndier vitet aspak. Pas disa vitesh, në jetën e tyre erdhi bekimi i parë në jetën e tyre dhe këtu nisin disa ngjashmëri me moderatorin e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.
Sanie: Erdhi në jetë në 1995 dhe të them të drejtën u gëzuam shumë, por emrin ia vumë Ardit sepse ishte Ardit Gjebrea në atë kohë.
Ardit Gjebrea: I ka ecur mbarë Arditit me këtë emër?
Sanie: Po.
Ardit Gjebrea: Jam i lumtur.
Sanie: Faleminderit! Lindi djali, Syla u largua në Zvicër, pas vitit u largova edhe unë te Syla, u bashkua familja prapë në Zvicër. Jetuam atje për ca vite, lindëm edhe Albanin dhe vendosëm të shkonim në Amerikën.
Ardit Gjebrea: Dhe nga 2001 deri sot jetoni në Amerikë. Në cilin qytet?
Sanie: Jetojmë në Nju-Jork. Pastaj Syla vendosi, tha “ti do të vazhdosh shkollën”.
Ardit Gjebrea: Atë shkollën e munguar.
Sanie: Atë shkollën që e kisha të munguar në vitet e tjera dhe u plotësua ëndrra ime që e kisha të munguar shumë. Ikën vitet, djemtë u rritën dhe thamë pse jo ta kemi edhe një vajzë. Pas 18 viteve nga djali i vogël, erdhi në jetë Arta.
Ardit Gjebrea: Fiks si Joni im me Anën!
Sanie: Ashtu na kanë thënë shumë njerëz.
Ardit Gjebrea: Kjo historia e Arditit ju ndoqi!
Sanie: Kur u thashë fëmijëve se unë me babin kemi menduar ta kemi një vajzë, djali i madh, Arditi, tha “unë gjithmonë e kam pas ëndërr që motra të më sjellë lulet kur unë të martohem në dasmën time”.
Ardit Gjebrea: Sa bukur!
Sanie: Dhe ashtu ndodhi!
Ardit Gjebrea: Edhe unë po pres Anën që të ndajë petalet e Jonit por aha! S’po dalin akoma lulet!
Përralla 30-vjeçare e dashurisë, Sania surprizon bashkëshortin për përvjetor
“Ma di zemra!” Kështu u shpreh Syla pa asnjë hezitim se kush gjendej në anën tjetër të ekranit të studios së “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. E në të vërtetë kishte të drejtë sepse është pikërisht bashkëshortja e tij, Sania që ka organizuar surprizën.
Viti 2023 do të shënonte 30-vjetorin e martesës së tyre të lumtur, të bekuar nga 3 fëmijë e një dashuri e madhe. Fatkeqësisht, humbja e motrës e bëri Sanien të merrte vendimin që mos ta festonte dot me një dasmë të dytë. Ndaj, ajo vendosi t’i shprehte mirënjohjen bashkëshortit të saj për dashurinë, mbështetjen, mirëkuptimin e këtyre viteve por edhe një premtim.
Sanie: Zemër!
Syl: Hajde zemër!
Sanie: Më së pari, më fal që ndodhi kështu por rruga më e bukur për ta bërë surprizën më të bukur që ekziston nuk dita përveçse tek Arditi, në këtë studio kaq të bukur.
Syl: Faleminderit!
Sanie: Ti e di që gjithmonë i ndjek emisionet e Arditit…
Syl: E di!
Sanie: Edhe kështu thashë ta shpreh këtë dashurinë që kam për ty.
Syl: Faleminderit, gjithashtu!
Sanie: Në këto 30 vite kemi pasur jetë shumë të bukur bashkë.
Syl: Ishin si 3 vite Ardit, jo 30! Aq shpejt kanë kaluar.
Sanie: Ti ma dhe lumturinë, mund të them edhe mençurinë, më dhe shkollimin, ti më bëre të ndihem vetvetja, ashtu siç duhet të ndihet çdo femër që ekziston. Dua të të falenderoj për gjithçka, edhe për ato lulet e dhuratat që gjithmonë m’i sjell te puna, që thonë gjithnjë punëtoret “a ke ndonjë djalë shqiptar atje edhe për ne?”
Ardit Gjebrea: Pse nuk u çojnë lule shoqeve të punës?
Sanie: Nuk u vijnë te puna lulet. Ky gjthnjë surprizat i ka pa ndalur kurrë.
Ardit Gjebrea: Ndaj vendose t’i bësh këtë surprizë sot.
Sanie: Edhe vendosa t’i bëj këtë surprizë, edhe një gjë, në emër s’më thërret kurrë, këtu më vjen çudi se tha “Sania”, ky veç “zemër” më thotë.
Ardit Gjebrea: Po gocës së vogël i thua ndonjëherë zemër?
Syl: Po, po. Tani kam dy zemra. Ndonjëherë kur thërras “zemër”, të dyja kokën këtej.
Sanie: Të bëj një premtim, edhe pse nuk e bëmë dasmën ti e di që unë jam akoma e mërzitur për motrën dhe është e vështirë ta largoj dhe e di që shumë herë ti mërzitesh, thua “nuk je ajo që ishe”, por dije se unë e kam qëllimin.
Ardit Gjebrea: Do e bëni festën e madhe?
Sanie: Do e bëjmë festën e madhe dhe do të jetojmë gjithnjë të lumtur siç kemi qenë deri tani.
“Ka një mesazh për ty” – Pas dhimbjes vjen mrekullia
“Fëmija vdiq në bark në muajin e nëntë”, ëndrra e thyer e çiftit: Mjekët na i shuan shpresat
Rrëfimi i Rolandit dhe Edmirës në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan nis me lindjen e djalit të tyre të madh, Arifit më 29 nëntor 2002. Rolandi thotë se i kishin të gjitha të mirat, ai dhe Suada siç e quan ai gruan e tij, punonin dhe gjithçka shkonte shumë mirë. Kur Arifi u rrit pak, nisi t’u kërkonte një vëlla ose një motër dhe aty nisi tragjedia e parë.
Roland: Gjithmonë thoshte “ma bëni një vëlla ose një motër se sa mirë ai ka vëlla, ai ka motër”, por të them të drejtën, ku s’kemi qenë nëpër doktorë për të pasur një fëmijë tjetër… 16 korrik 2007, gjatë lindjes në muajin e nëntë, Suada shkoi për të lindur…
Ardit Gjebrea: Ah, mbeti shtatzënë?
Roland: Mbeti shtatzënë.
Ardit Gjebrea: Dhe çfarë ndodhi në muajin e nëntë?
Roland: Vdiq në bark. E përjetuam keq, por prapë unë gjithmonë i thosha Suadës, në dashtë se kemi Arifin, me një sy themi ne njeriu sheh gjithë botën, kemi Arifin, më vonë… por edhe gjendja e Suadës aty u bë shumë e keqe. Deri diku te 8-9 vjet mbrapa, Suada s’ka qenë mirë hiç.
Ardit Gjebrea: Dhe ajo kishte shpeshherë momente shumë të vështira shëndetësore.
Roland: Pas dy vjetëve mbrapa, Suadës i ra paralizë krejt në krahun e djathtë. Kemi përfuduar në azil prej hallit sepse donim të gjenim derman, Suada u bë keq, unë e laja, unë e shpëlaja, unë e ndërroja, kjo s’ishte e zonja për asgjë. Por s’e lamë pas dore edhe bebin. Shkuam diku afër Amsterdamit për të bërë vizitën e bebit. Doktorët atje thanë “është bërë një masakër kur ka lindur”, djalin e dytë e quajtëm Kujtim që të rrijë kujtim për tërë jetën. Kur lindi Kujtimi, kishin bërë masakër ata që e kanë nxjerrë dhe thanë “s’ka shans që ju të keni më fëmijë”.
Tragjedia që ndodhi në 7 minuta: Bashkë me djalin, vdiqëm edhe ne
Jeta e lumtur e Rolandit dhe Suadës u shenjua nga tragjedia e parë në jetën e tyre. Në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” në Tv Klan, ata rrëfyen sesi pas lindjes së Arifit, dëshironin të bëheshin sërish prindër. Mrekullia ndodhi, por në muajin e nëntë fëmija ndërroi jetë në bark duke marrë me vete edhe shpresat.
Megjithatë, kishin Arifin që u rrit dhe u kthye në djalin që kishin ëndërruar. Ai arriti të shkëlqente në mësime, të merrte diploma dhe ishte drita e vetme e syve të tyre. Një ditë krejt të zakonshme, djali doli nga shtëpia për të takuar shokët, përshëndeti prindërit si zakonisht pa e ditur se nuk do të kthehej më kurrë.
Gjithçka ndodhi në vetëm 7 minuta. Siç tregon Rolandi, i kishte dërguar një mesazh në 10:02 që i biri ia kishte kthyer. Në 10:09, nisi të ndihej keq, sikur i mbahej fryma dhe e mbuluan djersë të ftohta. Mendja i shkoi te djali dhe e telefonoi fshehtas, por në vend që zilja të ndërpritej nga zëri i Arifit, dikush i dha lajmin e kobshëm.
Roland: I bie telefonit të Arifit pa zë, që mos ta dëgjonte Suada dhe i kam rënë nja 10 herë, 12 herë. Zilja shkonte, kush nuk e kapte.
Ardit Gjebrea: Po Suada vetë?
Roland: Suada…unë nuk isha duke folur me Suadën, Suada ishte aty duke parë televizor dhe kur i hedh sytë te Suada unë, Suadës i kishte shkuar goja nga këtu e te veshi. Duke ia fërkuar avash-avash me një dorë, me dorën tjetër i bija prapë telefonit të Arifit. Dikur, ma hapi dikush. Ai më pyeti mua, më tha “kush je ti?” I thashë unë jam babai i të zotit të telefonit. Hajde në Shkodër se të ka bërë djali aksident”, tha. Me thënë të drejtën, bota m’u përmbys, por nuk e mendova më të keqen, thashë do ketë thyer ndonjë dorë, ndonjë këmbë, nuk më shkoi mendja atje. Atë aksident e paska nxjerrë televizori vetë, shokët e mi në Shkodër e kishin parë dhe ishin të tërë atje te spitali. E marr njërin prej tyre, i them ka bërë Arifi aksident. “Po shkoj unë tani e të marr për 10 minuta, po ti hajde avash-avash” thotë. Ai ishte aty. Ikim për Shkodër, por s’mbaronte kurrë rruga, nuk e di sesa shpejt kam qenë. Suada më kishte kapur dorën e më thoshte “po hë”, s’ecte më makina. Kur shkuam te spitali, donin të na drejtonin fill te morgu. Suada u këput, i ra të fikët. Çfarë kishim ndërtuar, u shemb. Tani s’kishim më asgjë. Aty kuptuam që ne kemi vdekur me Arifin të tre. Duhej të merresha me Suadën, Suada kapte veten për flokësh, “jeta jonë mbaroi, futmëni në arkivol me Arifin”…u bëra burrë i fortë me zor. E morëm Arifin, e çuam në shtëpi. Shëngjini pa përjashtim, ishte në shtëpinë time, të gjithë.
Ardit Gjebrea: Po çfarë kishte ndodhur?
Roland: Arifi kishte bërë aksident dhe kishte ndërruar jetë fill në makinë.
Ardit Gjebrea: Ishte në makinë me të tjerë?
Roland: Ishte me një shok të vetin.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishte?
Roland: Arifi ka qenë 19 vjeç e 3 muaj, pa 3 ditë. Ajo natë ka qenë… faktikisht babai duhet të rrijë te burrat e të presë njerëz, por unë nuk mundesha, unë kam ndenjur me Arifin aty, vetëm se s’më lanë të futesha në arkivol me Arifin. Deri para 9 muajve ne kishim lutjet e Zotit, Zot, na merr na ço te fëmijët atje se kjo botë ishte pa vlerë, çfarë donim ne këtu?
Ëndrra që solli mrekullinë/ Fëmija vjen në jetë në të njëjtën ditë me vëllanë, por në orën e tij të vdekjes
Një fëmijë i vdekur në barkun e nënës në ditën kur ishte caktuar për të lindur. Një djalë që humbi jetën tragjikisht në aksident në moshën 19-vjeçare. Përpjekje të pafundme e stërmunduese për të pasur një fëmijë që gjithnjë ua kthenin shpresat në hi.
Jeta e Rolandit dhe Suadës u shenjua nga dhimbje kaq të thella sa lutja e vetme ishte të bashkoheshin në botën tjetër me fëmijët e tyre. Historia që çifti ndau në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan duket si një film i jashtëzakonshëm, por gjithçka ka qenë një realitet i hidhur.
Pas humbjes së Arifit në moshën 19-vjeçare, të afërmit u thoshin të mos i humbnin shpresat se një ditë do të bëheshin sërish me fëmijë. Rolandi tregon se nipi i tij i vetëm nisi të këmbëngulte që të shkonin në Tiranë dhe të bënin një vizitë. Fillimisht çifti nuk donte, por një ëndërr e mbushur me dritë hyjnore, ndezi një thëngjill shprese.
Roland: Kam një kushërirë, vajzë tezeje që jeton në Gjermani. Ajo faktikisht na rrinte afër me telefonata. “Kam parë një ëndërr”, tha. “E pashë dritën që po vinte prej qiellit, një dritë e rrumbullakët që u bë tub, erdhi te këmbët e mia, la një beb dhe unë prapë e pashë dritën që u kthye”. Bënte be për kokë të fëmijëve, “Land, nuk dua të të jap kurajë, por e kam parë. U kthye drita dhe bebin ma la te këmbët. E mora bebin, e pashë dhe i lutesha Zotit që të ishte i Suadës”. Ne s’ishim gati kurrkund për beb, por kjo sikur…
Rolandi dhe Suada bënë siç u tha nipi, shkuan në Tiranë dhe takuan një mjek që s’e njihnin, dr. Elton Peçin. Në 21 vite, ata s’kishin ndier kurrë shpresë e mirëkuptim si në atë moment. Pasi u shpjegoi gjendjen e Suadës dhe mjekimin që duhet të ndiqnin, një ditë erdhi lajmi që ndryshoi gjithçka.
Roland: Erdhi shtatzënia më në fund! Dielli sikur filloi të na nxehte prapë. Tani nuk ishin më lutjet o Zot na merr e na ço atje, por o Zot të kujdesemi për të. Pastaj i them Suadës ti s’ke për të bërë asnjë punë, as të çohesh, unë do t’i laj teshat, unë do t’i laj enët, unë do të bëj për të ngrënë, unë do t’i bëj të tëra, ti veç ri rehat. Deshi i madhi Zot që data e bebit të ishte e njëjta datë me të Arifit që ka lindur. 29 me 29. Kur vinte data 29 ne mendonim që Arifi do të rritej edhe një muaj më shumë. Kur vinte 29 nëntori, kishte për t’u rritur edhe një vit më shumë. S’kishte më keq për ne. Blemë tortën se ka ardhur Aroni më 29, u bë një muaj, u bënë dy muaj, u bënë tre muaj. Më e bukura është që Arifi ka ndërruar jetë në orën 10:10, kurse Aroni ka lindur në 10:10.
Mirënjohja e përjetshme ndaj njeriut që fashiti 21 vite vuajtjesh/ “Mrekullia”vjen në studio
Pikërisht kur mendonin se jeta për ta nuk kishte më kuptim, Rolandi dhe Suada morën mesazhin më të bukur në formën e një mrekullie. Rrëfimi i tyre prekës në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan tregoi lindjen e Arifit, humbjen e fëmijës së dytë pikërisht në ditën kur duhej të vinte në jetë, gjendjen e vështirë shëndetësore të Suadës dhe aksidentin tragjik që mori me vete gëzimin e tyre të parë.
Kalvarit të gjatë të vuajtjeve do t’u vinte fundi me një ëndërr shpresëdhënëse e me takimin në dhomën e një spitali që u ktheu dëshirën për të vazhduar përpara. Dr. Elton Peçi u qëndroi pranë për gjithçka derisa një ditë lutjet dhe përpjekjet u shpërblyen me ardhjen e Aronit të vogël.
Pas 21 viteve, në zemrat e këtyre dy prindërve dhimbja ka gjetur prehje falë djalit dhe falë njeriut që ata kanë thirrur për ta falenderuar me mirënjohje.
Suada: Doktor, të përshëndes pa masë! Ti ke qenë një gjinekolog shumë i mirë, por për mua edhe një psikolog shumë i mirë se gjithmonë më jepje shpresa, thoshe do t’ia dalim dhe faleminderit Zotit që unë sot Aronin nga Zoti dhe nga ti e kam.
Dr. Eltoni: Faleminderit!
Ardit Gjebrea: Më lejo të të them vetëm një detaj, që deri tani Suadës nuk ia kemi dëgjuar zërin fare sepse gjatë gjithë kohës ka folur Landi. Sa erdhe ti, i erdhi zëri.
Roland: Atë punë që bëre ti, 21 vjet nuk e bëri kurrkush. Atëherë që ne shpresat i kishim 0, ti i ktheve në anën tjetër, nuk u mërzite kurrë me ne dhe të falenderoj pa masë për kujdesin që ke bërë për ne edhe gjatë shtatzënisë, duke na marrë në telefon me mjekimin, je yll! Faleminderit shumë, shumë, shumë!
Suada: Të falenderoj pa masë!
Në studio bashkohet edhe Aroni, bekimi i Rolandit dhe Suadës.
“Shihemi në Gjyq”–Akuza për tradhëti, kush është babai i fëmijës?
“Ke shkuar me djalin e tezes time!”/, Florenca akuzohet nga ish-burri: Thonë se fëmijën s’e kam me të
“Më akuzojnë për tradhti bashkëshortore, për këtë arsye më kanë marrë djalin dhe mua më kanë flakur jashtë, në rrugë. Pse fëmija im duhet të jetojë me gjyshërit kur unë jam gjallë?”, shprehet Florenca në insertin e saj prezantues të rubrikës “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.
Ndërsa hyn në studio, ajo shpjegon se akuzat vijnë nga ish-bashkëshorti i saj me të cilin është ndarë prej 5 vitesh, Ardiani. Ky i fundit e akuzon se ka pasurnjë lidhje jashtëmartesore me djalin e tezes së tij, ndërsa ish-vjehrra ka aluduar për diçka edhe më të rëndë.
Ardit Gjebrea: Kush të akuzon për tradhti bashkëshortore?
Florenca: Ish-burri im, Ardian Beqo.
Ardit Gjebrea: Po pse?
Florenca: Prova nuk ka ose nuk e di nga mund ta thotë këtë sepse unë isha veç një zonjë shtëpie, veç e mbyllur në shtëpi dhe ai e dinte shumë mirë që unë s’mund ta tradhtoja në asnjë moment, por që mund ta thoshte për të më bërë keq mua ose për…
Eni Çobani: Pra nuk ka dyshime për njeri tjetër?
Florenca: Jo, vetëm për këtë person.
Eni Çobani: Kush është persoin?
Florenca: Është djali i tezes së vet, Ilir Beqo. Më kanë thënë që edhe djalin e ke bërë me të.
Eni Çobani: Të ka thënë që djalin e ke bërë me çunin e tezes së vet?
Florenca: Po.
Eni Çobani: Po e thua publikisht, Ardianin do ta kemi në telefon, pra Ardiani ju ka akuzuar që ju keni shkuar me djalin e tezes së tij?
Florenca: Po, dhe e thotë me plot gojën. Edhe mamaja e vet më ka thënë “djali i ngjan Ilirit, nuk i ngjan djalit tim”.
“Jam dhunuar nga ish-burri e ish-vjehrrit!”, Florenca: Kisha 3 muaj e sëmurë, më hodhi në rrugë!
Florenca është një nënë që kërkon të rimarrë kujdestarinë e djalit të saj të mitur. Ajo është divorcuar 5 vite më parë nga bashkëshorti dhe jeton me nënën e saj, Luljetën që e ka thirrur në “Shihemi në Gjyq”.
Sipas deklaratave të Florencës në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ish-burri, Ardiani pretendonte se ajo e kishte tradhtuar me djalin e tezes së tij. Nga ana tjetër, ish-vjehrra e akuzonte se fëmijën e kishte pikërisht me të.
Problemi i parë i Florencës është me nënën sepse Luljeta i thotë se nuk mundet ta përkrahë më. Duke qenë se shkas për njohjen e Florencës me ish-burrin ka qenë tezja e saj, Luljeta nuk dëshiron të ketë grindje me motrën.
Eni Çobani: Si u njohe me këtë djalë? Kush të njohu me këtë djalë?
Florenca: Nga momenti që isha 17 vjeçe, unë ish-burrin tim e kam njohur… prandaj e kam thirrur mamin tim këtu sepse motra jote është bërë shkak që më ka njohur me atë djalë sepse burri i saj e kishte djalin e dajës. Kjo është një arsye më tepër që ajo s’duhet të më fuste në atë familje, kur i njihte, prandaj unë sot të kam thirrur ty këtu.
Ardit Gjebrea: Pse, çfarë familjeje ishte ajo?
Florenca: Ata ishin një familje që të keqtrajtonin, nuk të respektonin, të mbanin si shërbëtore në atë shtëpi, jo si një nuse e shtëpisë që ishte djalë i vetëm.
Eni Çobani: 17 vjeçe.
Luljeta: Motra ime nuk i njihte ata.
Florenca: Unë jam drejtuar te ju znj. Eni sepse jam e vetme në këtë botë, edhe mami im nuk më përkrah, thotë “jo se nuk zihem unë me motrën për ty”.
Luljeta: Moj çupë, çfarë të të bëj unë ty? Të kam përkrahur deri tani, s’të përkrah më.
Florenca: “Nuk zihem unë me motrën për ty”, më thotë. Ti duhet të më mbështesësh mua, jo motrën tënde!
Florenca pretendon se është keqtrajtuar në familjen e bashkëshortit. “Unë në atë familje jam keqtrajtuar, jam dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht”, u shpreh ajo duke shtuar se edhe e ka denoncuar ish-burrin, por më vonë e ka tërhequr kallëzimin. Ndër të tjera, Florenca thotë se në një periudhë kur ajo qëndroi 3 muaj e sëmurë në shtrat, ish-burri i ka kërkuar babait të saj që ta marrë në shtëpi.
Florenca: Nga momenti që jam larguar nga ajo shtëpi, kam qenë shumë keq, në gjendje shumë të keqe. Isha shumë sëmurë, gati 3 muaj nuk jam ngritur nga krevati, isha në gjendje shumë të keqe, më dhimbte koka. Ish-burri im e ka marrë babin tim në telefon, i ka thënë “eja merre vajzën sepse unë nuk e dua më”. si më do mua ai, vetëm në momentin kur jam mirë? As nuk më çoi në spital, asgjë, veç i tha “eja merre”.
Përveç dhunës nga bashkëshortit, Florenca deklaron se është dhunuar edhe nga ish-vjehrrit, në sy të djalit të saj.
Florenca: Edhe prindërit e tij më kanë rrahur fizikisht, në sy të djalit tim! Ish-vjehrra dhe vjehrri im.
Eni Çobani: Të kanë dhunuar edhe të mëdhenjtë?
Florenca: Po.
Ardit Gjebrea: Po pse?
Florenca: Ka qenë një moment që jemi grindur, kam pasur edhe djalin prezent, ish-burri im nuk ishte, ishte jashtë shtetit dhe kam bërë konflikt me ta. Unë isha vetëm, më kanë goditur të dy në të njëjtën kohë. I kam denoncuar në polici.
Ardit Gjebrea: Edhe ish-vjehrra,edhe ish-vjehrri, të dy?
Florenca: Po.
Luljeta: Pse nuk na thoshe neve që kështu më trajtojnë?
Florenca: Unë nuk mund të tregoja se nuk doja që ta prishja atë familje, por vetëm sepse erdhi ai moment që më përzuri ai, ai më hodhi mes katër rrugëve.
Ardit Gjebrea: Ju jetonit vetëm për njëfarë kohe në atë familje?
Florenca: Ne jetonim bashkë në një shtëpi por ata thoshin “ju jeni të ndarë”.
“Ik m’u shporr, je…!”/ Mohon fjalët ndaj bashkëshortes, biseda në Messenger e nxjerr zbuluar
Prej 5 vitesh, Florenca është ndarë nga bashkëshorti i saj, Ardiani, i cili ka përfituar edhe kujdestarinë e të miturit. Në versionin që ajo dha në “Shihemi në Gjyq”, ish-burri e ka dhunuar e njëkohësisht edhe ish-vjehrrit, është pretenduar se e tradhtonte me djalin e tezes së tij si dhe është përzënë nga shtëpia kur ishte në një situatë të vështirë shëndetësore. Gjithashtu, Florenca thotë se nuk e takon të birin.
Në pjesën e dytë të rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, mundësohet një telefonatë me Ardianin, ish-burrin e Florencës dhe babain e fëmijës. Ai thotë se mes tyre është mbyllur çdo gjë, ndërsa ajo vetë nuk shkon ta takojë djalin. Por ndërmjetësja Eni Çobani ka parë disa mesazhe në Messenger ku gjuhën e përdorur prej Ardianit e konsideron “dhunë psikologjike”.
Ardian: Unë nuk e kam penguar djalin.
Eni Çobani: Si s’e ke ndaluar? Por duke e mbajturnë ambientin tuaj dhe duke folur ashtu siç flisni ju që unë kam lexuar mesazhet tuaja para dy ditësh, pra a është gjuha juaj zotëri ajo që ke shkruar në Messenger? Zotëri, është fjalori juaj sepse ai komunikim në Messenger, bashkëngjitur me një kërkesë kundrejt jush do të shkojë pranë prokurorisë së gjykatës së rrethit Elbasan dhe në qoftë se një baba përdor ato fjalë ndaj fëmijës së nënës së tij, nuk mund të vazhdojë të mbajë kujdestarinë e këtij fëmije sepse ju keqtrajtoni dhe vazhdoni dhunën psikologjike kundrejt Florencës.
Ardian: Jo, jo, jo e ke gabim!
Eni Çobani: Ma jep telefonin! Si nuk është? Unë kam telefonin e Florencës këtu dhe këto janë mesazhet tuaja. Unë nuk mund ta lexoj gjuhën tuaj, por të lutem Ardit meqenëse të kam afër.
Pranë ndërmjetëses afrohet edhe Ardit Gjebrea që sheh mesazhet. “Do të të mbys, kur të rritet ty dhe prindërit…, ik m’u shporr! Po ti je….”, janë fjalët që arrijnë të kuptohen nga pëshpërimat e Eni Çobanit. Gjebrea i drejtohet Ardianit për ta pyetur nëse dyshon se Florenca e ka tradhtuar.
Ardit Gjebrea: Ke ndonjë fakt konkret që e etiketon me atë fjalë që unë s’e them dot?
Ardian: Mesazhin që ia kam çuar, ia kam çuar pa vetëdije se nuk kam qenë…
Ardit Gjebrea: Pra ti dyshon në moralin e saj?
Ardian: Unë me Florencën i kam mbyllur ato muhabete. Mesazhin ia kam çuar se më ka ofenduar Florenca në telefon, prandaj ia kam çuar dhe i kërkoj falje publikisht, mua të më lërë të qetë. Djalin le të vij ta takojë kur të dojë, ta marrë, po i vajti djali, le ta marrë.
Akuzat ndaj Florencës për tradhti, ish-burri: E kam kapur kur ishim të fejuar, ia kam falur
Gjatë “Shihemi në Gjyq”, Florenca u shpreh se ish-burri, Ardiani e ka akuzuar për tradhti bashkëshortore. Kjo është përforcuar edhe nga fjalët e ish-vjehrrës që i ka thënë se fëmija nuk është i tiji, por i nipit të saj dhe i ngjan atij.
Në telefonatën me Ardianin, ndërmjetësja e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani, e pyet drejtpërdrejt lidhur me këto akuza. Si fillim, ai thotë se nuk ka asnjë dyshim për atësinë e të birit.
Eni Çobani: Dyshon që fëmija është djali i Ilirit, djalit të tezes tënde?
Ardian: Jo, jo, jo. Kush i ka tjerrë këto muhabete?
Eni Çobani: Po, e kam thënë unë.
Ardian: Jo, jo, jo, djalin e kam vetë unë. Jo, jo, jo.
Florenca: Mamaja jote më ka thënë “Eraldi i ngjan Lirës, djalit të Lirës”.
Ardian: Ti mund të ngatërrosh çdo gjë, të lutem, djalin e ke këtu, hajde takoje kur të duash djalin.
Ardiani përsërit se nuk e ka penguar në asnjë moment Florencën, ndaj nëse djali pranon ta takojë, ajo mund të shkojë kur të dojë. Ai thotë se ish-gruaja nuk ka ardhur dhe as nuk i është përgjigjur me pensionin mujor që i përcakton kujdestaria. Në përmbyllje të telefonatës, Ardiani pranon se e ka akuzuar ish-gruan për tradhti dhe se e ka zbuluar.
Ardit Gjebrea: Ke dyshuar ndonjëherë në besnikërinë e saj ndaj teje?
Ardian: Po, më ka tradhtuar.
Ardit Gjebrea: Kjo është shprehur edhe në gjykatë apo ka qenë thjesht…
Ardian: Po, po në gjykatë po.
Eni Çobani: Në vendim s’është, në vendim nuk e ke.
Ardit Gjebrea: Meqenëse doli djali i tezes së Ardianit këtu, doja të dija nëse edhe kjo akuzë, ky dyshim për tradhti bashkëshortore, mund të ishte përsëri e thënë nga Florenca, por nuk ishte një fakt, si me thënë, i pranuar nga Ardiani, por të paktën këtë gjë Ardiani e thotë që unë kam dyshuar që ajo më ka tradhtuar.
Eni Çobani: Pra, Florenca nuk gënjen, Florenca thotë të vërtetën pavarësisht se i vuri një emër tradhtisë që pretendon zotëria.
Ardit Gjebrea: Doja të isha i kujdesshëm te djali i tezes meqenëse e artikuluam dhe e torrëm pak.
Ardian: Florenca kohët e fundit kur u ndava unë, se unë e kam kapur Florencën edhe kur ka qenë e fejuar, ia kam falur.
Ardit Gjebrea: E ke kapur?
Ardian: Kohët e fundit kur filluam për divorc, jo ikte dhe na hyri përçarja, na hyri një grindje e keqe.
“Të Panjohurit” – Tatjana Matlliu
/tvklan.al