#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
#tvklan #edielashqiptare #arditgjebrea #shqiperi #mesazh #daje #Hysenhaxhiaj #burg #komunizem #internim #vuajtje #liber #tarti #histori
Guxim në kohëra të vështira, i internuari merrte kartolina fshehurazi nga babai i Ardit Gjebreas
Beqir Caushaj, protagonisti i “Ka Një Mesazh Për Ty” u shpreh në fillim të rubrikës së të “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se fizikisht jeton në Ohajo, SHBA por shpirtërisht në Shqipëri. Kjo deklaratë i bëri përshtypje moderatorit Ardit Gjebrea pasi Beqiri është një ish i internuar i regjimit të diktaturës.
Asokohe, pushteti e internoi familjen e tij në Dhëmblan të Tepelenës. Emri i fshatit i solli ndërmend moderatorit një kujtim fëmijërie me të atin i cili në kartolinat e Vitit të Ri dërgonte një të tillë për një tjetër të internuar në atë fshat. Përtej rrezikut, babai i Ardit Gjebreas nuk harronte kurrë një urim për Thoma Delianën, ministrin e Arsimit të kohës.
Beqir: Kam lindur në Vlorë. Na kanë internuar nga Vlora në fshatin tonë në Dhëmblan, Tepelenë në vitin 1968, diçka e tillë.
Ardit Gjebrea: Për cilin motiv?
Beqir: Dy xhaxhallarët e mi ishin arratisur në Amerikë pas Luftës Nacional-Çlirimtare që quhet.
Ardit Gjebrea: Në sytë e një fëmije, si ishte ai fshat?
Beqir: Në sytë e një fëmije në atë moshë që unë jam internuar në fshat ishte një vend i zymtë, ishte një vend për mua pa perspektivë.
Ardit Gjebrea: Kishte shumë të internuar të tjerë?
Beqir: Jo, vetëm ne kemi qenë. Shumë vite më vonë kanë prurë të internuar edhe Thoma Deliana që ka qenë ministër i Arsimit në një kohë.
Ardit Gjebrea: Thoma Deliana!
Beqir: Po, ka qenë në fshatin tonë i internuar.
Ardit Gjebrea: Më kujtohet, edhe unë kam qenë i vogël si ju dhe babai im më çonte për Vit të Ri të postoja kartolinat në postë dhe në një moment merr një prej tyre dhe e fsheh mes kartolinave të tjera dhe më thotë “shumë kujdes këtë kartolinë kur ta postosh, mos të të shohin”. Dhe ishte një kartolinë urimi për Thoma Delianën dhe mua më bëri shumë përshtypje “Dhëmblan, Tepelenë” dhe për herë të parë më është fiksuar Dhëmblan, Tepelenë nga Thoma Deliana kjo kartolinë që edhe pse i internuar, babai im e kujtoi dhe ia çonte duke i uruar “Gëzuar Vitin e Ri!”
“Momenti më i bukur i jetës sime”, tentativa e arratisjes që u kthye në poshtërim: Na torturuan e tërhoqën me litar
Beqiri e dinte mirë se çfarë jete do ta priste në internim në Dhëmblan të Tepelenës. Siç rrëfen ai në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare”në Tv Klan, e lanë të bënte vetëm dy vjet shkollë, por do të ishte thjesht një kooperativist, pa të ardhme.
I ati ëndërronte ta shkollonte dhe përmes miqve e familjarëve, arrin të shkojë në Durrës te daja i tij, Hyseni. Beqiri nis punë si mirëmbajtës në Vaun e Dejës, filloi edhe shkollën dhe kështu jeta mori një rrjedhë disi normale.
Megjithatë, përtej çdo pune që mund të bënte e shkolle që mund të kryente, mungonte liria. Frika nga sistemi, terrori ishin kudo dhe pas dënimit të dajës së tij në burgun e Spaçit për agjitacion e propagandë, disa vite më vonë u burgos edhe vetë Beqiri.
Beqir: Isha 31 vjeç kur kam tentuar për t’u arratisur në 1987 nga Saranda.
Ardit Gjebrea: Si ndodhi, ma trego pak.
Beqir: Po, por dua të them këtë që ne prisnim kur të vdiste Enveri do të ndryshonte sistemi dhe meqë kishim dëgjuar që flisnin gjithandej që ishte i sëmurë e ku e di unë, vdiq Enveri dhe 5 vjet më mbrapa, Ramiz Alia jo vetëm që nuk ndryshoi sistemin, por e shtrëngoi edhe më shumë, e bëri më fukarallëk. Duke parë që ndryshime nuk kishte, unë vendosa për t’u arratisur bashkë me një shokun tim. Jemi hedhur në Sarandë më 17 tetor 1987.
Ardit Gjebrea: E kujton atë moment?
Beqir: E kujtoj, është një moment që nuk do të më shuhet kurrë në kujtesën time pasi mund të them që ishte momenti më i bukur i jetës sime.
Ardit Gjebrea: Plani ishte për të shkuar nga Saranda në Korfuz.
Beqir: Sigurisht.
Ardit Gjebrea: Me not?
Beqir: Me not, po. Mirëpo fatkeqësisht këtij shokut që ishte me mua, e zuri ngërçi siç quhet, iu bllokua këmba, pulpa e këmbës. Unë u mundova që ta ndihmoja gjatë natës. Faktikisht na zuri mëngjesi, ishim në ujërat tona, nuk kishim dalë në ujëra neutrale apo më larg dhe anija e kufirit që kalonte, na panë me dylbi dhe na erdhën aty. Ne ishim në ujë, nuk lëviznim dot. Na qëlluan me automatik për të na vrarë. Ishte fati jonë që unë sot jam këtu përpara që të tregoj këtë histori pak a shumë të dhimbshme, por është e nevojshme që brezat e rinj ta dinë.
Ardit Gjebrea: Ju qëlluan me automatik?
Beqir: Po, na qëlluan me automatik. Një kallashnikov komplet i automatikut është shkarkuar mu këtu, 30 cm nga gjoksi im.
Megjithëse u shpëtuan plumbave, Beqirin dhe shokun e tij i prisnin torturat çnjerëzore brenda anijes.
Beqir: Neve pasi na futën në anije ushtarët që na morën, na kanë rrahur dhe na kanë bërë ato torturat e tyre, njerëz me tru të shpëlarë për mendimin tim dhe kur kemi zbritur në portin e Sarandës, na kanë lidhur me litar dhe na tërhiqnin me litar nga porti i Sarandës deri në degën e brendshme.
Beqiri u dënua me 22 vite burg ndërsa shoku me 21, dënim që do ta vuanin në burgun e Qafës së Barit.
“O vdekje, o liri”/U arratis nga burgu për t’i shpëtuar diktaturës: Më gjetën thuajse të vdekur në pyll
Tentativa e parë e Beqirit për t’i shpëtuar sistemit komunist përmes arratisjes nga porti i Sarandës nuk rezultoi me sukses. “Momenti më i bukur i jetës” që ai përshkroi në “Ka Një Mesazh Për Ty” u kthye shpejt në një ngecje në mes të ujërave të tetorit 1987, policisë që zbrazte automatikët dhe torturave në anije e poshtërimit në rrugët e Sarandës.
Prej andej, Beqiri dhe shoku i tij u dërguan në Qafën e Barit ku i priste dënimi i më shumë se dy dekadave. Duke mos iu dorëzuar në asnjë moment jetës pas hekurave, ai vendosi të hartonte një strategji për t’u arratisur sërish. Beqiri kujton në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan si një ditë, duke përfituar nga mundësia që si punëtor ofiçine t’i vinte në ndihmë një shoku, la pas rrethimin kryesor dhe doli në të dytin.
Jashtë rrethimit të dytë, rridhte një përrua që nga moti i keq kthehej në një lumë të rrëmbyeshëm si atë ditë. Ndërsa priste makinat që hynin e dilnin nga rrethimi, Beqiri mendonte si të kalonte e të hidhej drejt përroit derisa mori guximin, me shpresën se do të gjente lirinë.
Beqir: Hyri saureli i parë, unë nuk e mora guximin të kaloja. Kur erdhi saureli i dytë, prapë nuk e mora guximin. Kur erdhi makina e tretë, “e treta, e vërteta tani, o vdekje, o liri!” Unë sytë i mbaja vetëm te ushtarët në qoftë se ndonjëri nga ata do të hiqte automatikun, unë do të vrapoja, do të hidhesha në lumë. Ata me ata monotoninë e tyre në truprojë dhe unë direkt kaloj te shoferi dhe hidhem direkt në lumë. Me not zbres deri poshtë, dal nga lumi duke parashikuar rrezikun që mund të përplasesha me ndonjë shkëmb se lumi është shumë i rrëmbyeshëm atje dhe po ecja xhadesë. Nuk kaluan as 20 minuta, gjysmë ore kur filluan të bëjnë alarm me pushkë dhe me fishekzjarre, me drita. U detyrova t’i ngjitem shpatit të malit dhe të eci gjithë natën, ndoshta edhe të nesërmen dhe fatmirësisht, më kanë gjetur pothuajse të vdekur. Më gjetën të shtrirë, bëri një kohë shumë e keqe.
Ardit Gjebrea: Kush të gjeti?
Beqir: Atje kishte qenë një grua që bënte dru për kooperativën, për furrën e fshatit dhe më kishte parë mua të shtrirë në mes të pyllit. Atje kishte lajmëruar, unë kam qenë pa ndjenja, i humbur, nuk e di sesi kam përfunduar aty, më marrin e më çojnë në furrën e fshatit, më ngrohin aty në zjarr ata fshatarët, pastaj aty vjen policia e burgut pasi unë kisha ardhur pak a shumë në vete dhe më çojnë përsëri në burgun e Qafës së Barit dhe prej aty më çuan në hetuesinë e Pukës.
Ardit Gjebrea: Ti nuk kishe asnjë shpresë më?
Beqir: Shpresa zero, as për arratisje, as për asgjë.
Në hetuesinë e Pukës Beqirin e dënuan sërish dhe prej andej e shpërngulën në burgun e Burrelit.
“Tarti i Spaçit”/ Historia e pabesueshme: Qeni u rrit nga të burgosurit politikë dhe u dënua me varje
Pas daljes nga burgu i Burrelit në vitin ’91, Beqiri ishte i vendosur për ta çuar deri në fund atë që kishte nisur: të arrinte ëndrrën e lirisë. Kjo do të shënonte tentativën e tretë dhe të suksesshme të tij për arrati, pas dy të parave që rrëfeu në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.
Përmes malit, shkoi në Greqi e nga aty, një shok që punonte marinar në një anije transporti, e ndihmoi që pas 22 ditësh, të mbërrinte në ujërat amerikane. Këtë herë Beqiri nuk u hodh as në detin e Sarandës apo përroin pranë burgut të Qafës së Barit, por në oqean.
Në 2 të natës, u hodh nga vapori pa e ditur se ishte pikërisht në vendin e gjahut të peshkaqenëve e gjallesave ujore. Ia doli të shkonte në Bruklin dhe u lidh me të afërmit e tij në Nju-Jork dhe prej 33 vjetësh jeton në SHBA.
Por koha e diktaturës ka ndikuar që Beqiri të ketë një lidhje të veçantë me dajën e tij, Hysenin. Ai vuajti 15 vite në burgun e Spaçit dhe pasi fitoi lirinë, ka shkruar vepra për atë kohë. Një ndër librat e dajës që Beqiri përmend është “Tarti i Spaçit” që rrëfen historinë e një qeni që u miqësua me të burgosurit dhe u dënua me varje.
Beqir: Tarti i Spaçit ka qenë një kulish i vogël që nëpërmjet vrimave të telave të rrethimit nga ata fshatarët që jetonin aty rreth e rrotull ka hyrë në kampin e të burgosurve politikë. Të burgosurit politikë e kanë marrë, e kanë rritur, e kanë ushqyer me ato pak ushqime dhe ishte miqësuar me ta derisa u rrit, u bë qen i madh e i mirë. Në kohën që është bërë revolta në Spaç, aty u pushkatuan disa të burgosur politikë, u dënuan me dhjetëra, ua bënë dënimin me nga 25 vjet burg dhe bënë terror mbi të burgosurit politikë. Kur policët shkonin të arrestonin të burgosurit ose i torturonin pasi shuan revoltën, qeni u turrej policëve, i hante dhe nuk i linte që të arrestonin të burgosurit politikë por i mbronte të burgosurit. Pasi mbaruan të gjitha dënimet me vdekje të të burgosurve politikë dhe dënimet e tjera, në fund fare trupi gjykeus i mblodhi të burgosurit politikë dhe tha sot do të kemi gjyqin e Tartit.
Ardit Gjebrea: Gjyq për qenin?
Beqir: Po, gjyq për qenin dhe e kanë dënuar qenin me varje. Një i burgosur politik që ishte aty brenda u ngrit dhe i tha trupit gjykues, “ju lutem, mos e dënoni qenin, në vend të qenit më dënoni mua. Edhe ty do të të vijë radha”, i tha atij.
Dajë e nip, ish të burgosur të regjimit të diktaturës: Ishim në të njëjtin ferr, por ia dolëm!
Beqiri e Hyseni janë nip e dajë që jeta i ka sprovuar në mënyra nga më të ndryshmet. Të dy ish të burgosur politikë, historitë respektive të të cilëve Beqiri i ndau me rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Hyseni u burgos në Spaç gjatë kohës që Beqiri bënte ushtrinë e pak kohë më vonë, ky i fundit tentoi të arratisej dhe përfundoi në burgun e Qafës së Barit.
Nga atje, tentativa e dytë e dërgoi në burgun e Burrelit ndërsa pas rënies së regjimit përmbushi ëndrrën për të prekur Amerikën, sërish duke u arratisur. Prej 33 vjetësh, ai ka ndërtuar jetën atje por vijon të ruajë një lidhje të ngushtë me Hysenin. Historia e përbashkët ka shënuar jetën e tyre, por pa i mposhtur ndaj nipi ka ardhur të surprizojë dajën.
Beqir: Dajë, do të më falësh se të kam dhënë vështirësi në disa raste në jetën tënde. Mesazhi im për ty nuk mund të shprehet me ato fjalë që unë di nga sa kam pasur mundësi të mësoj nëpërmjet ndihemsës tënde. Nëse unë do të kisha mundësi më të mëdha, atë shprehje do ta bëja edhe më të bukur, më të mirë sot për të shprehur dashurinë, respektin, për të vlerësuar sakrificat e tua, për të vlerësuar jetën tënde, por do ta shpreh thjesht, me këto fjalë që unë di të cilat ti i ke ndier vazhdimisht nga mua. Ne kemi qenë gjithmonë bashkë, edhe kur ti ishe në burg, unë nuk t’u ndava asnjë ditë, edhe kur unë isha në burg ne ishim të dy në të njëjtin ferr, në të njëtën skëterrë por Zoti e pruri që si ti dhe unë të dalim dhe të jemi gjallë sot dhe të kemi mundësi të shijojmë dashurinë e njëri-tjetrit.
/tvklan.al