Përfshirja e Ed Sheeran në variantin e ri të kësaj kënge “Do They Know It’s Christmas” që do të publikohet më 25 Dhjetor të këtij viti, ka shkaktuar përplasje mes yllit të muzikës britanike dhe grupit Band Aid që ka autorësinë e saj.

Në një postim në rrjetet sociale 33-vjeçari shkruan se grupi nuk i ka marrë leje që ka përfshirë sërish vokalin e tij në variantin e ri të këngës, duke kopjuar variantin e vitit 2014, ku Ed Sheeran shfaqet mes shumë të yjeve të tjerë të muzikës botërore. “Nëse lejen do të ma kërkonin, natyrisht do të refuzoja”, shprehet Sheeran në postim.

Band Aid është një nismë e vitit 1984 e këngëtarit irlandez Bob Geldof, që përmes këngës “Do They Know It’s Christmas”, synonte të grumbullonte para për të luftuar krizën e urisë për fëmijët në Etiopi.

Nisma vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe prej atij viti ka publikuar 5 variante të këngës, me këngëtarë të ndryshëm, për të tërhequr fonde për këtë qëllim.

Por Ed Sheeran është kthyer në kundërshtar të saj, pasi thotë se Afrika tashmë është një kontinent që po zhvillohet dhe këto nisma tani i japin një imazh që nuk e ka më.

Tv Klan