Të përfundosh fazën e grupeve me pikët të plota nuk është e lehtë. Në këtë botëror ia arritën skuadra që nuk ishin ndër të parat si favorite për t’u shpallur kampion. Kroacia, e drejtuar nga ish-trajneri i Dinamos në sezonin e 2008-2009, Zlatko Daliç, Uruguai dhe Belgjika nuk i lejuan kundështarëve t’i merrnin pikë.

Përfaqësuesja kroate që renditjen më të mirë e pati në finalet e 1998, ku e përfundoi e treta, tregoi shpirt gare. Nigeria, Argjentina dhe Islanda nuk e përballuan skuadrën ballkanase. Zlatko Daliç në takimin me islandezët la pjesën më të madhe të titullarëve pushim, një sinjal që edhe stoli tremb.

Uruguai i mori fitoren Egjiptit, Arabisë Saudite dhe në fund Rusisë vendase. Përveç 9 pikëve të grumbulluara, përfaqësuesja uruguaiane nuk lejoi asnjë gol. Triumfi në fund mund të quhet i tepruar, por gjithsesi duhet të flasë fusha e lojës.

Në fund Belgjika që bindi me paraqitjet e saj ku nuk munguan golat në takimet me Panamanë e Tunizinë dhe suksesi më i rëndësishëm me Anglinë. 9 pikë të plota janë një shtysë më e madhe që të paktën të synojnë gjysmëfinalet, ku kanë mbërritur vetëm në një rast, në 1986.

Tv Klan