Përveç shkeljeve ligjore që janë kryer në banesën e Kristaq Qiqit, qytetarit që ka ardhur të zgjidhë rastin e tij në “Shihemi në Gjyq”, në skandal përfshihet edhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Në vitin 2020, ai ka legalizuar dhe ka marrë certifikatën e pronësisë së baneës që ka blerë në 2012-ën, por në tetor të po atij viti, leja e legalizimit i është anuluar.

Ndërmjetësja e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani i drejtohet drejtoreshës së ASHK-së, Dallëndyshe Bicit, e cila asokohe nuk ka qenë në këtë detyrë për t’i kërkuar një sqarim mbi gjithë këtë situatë.

Eni Çobani: Tani ka mundësi të më thoni ju ku qëndron ligjshmëria e ASHK-së për të hequr dhe anuluar lejen e legalizimit sikundër e lexova më sipër kur në bazë të ligjit, ASHK-ja nuk mund të zhveshë nga pronësia asnjë person në Republikën e Shqipërisë, maksimumi që ASHK-ja mund të bëjë, vendos kufizime mbi pronë dhe në bazë të gjyqit që natyrisht do të marrë përparësi për regjistrim pronari që ka regjistruar i pari dhe regjistruar i pari është Kristaq Qiqi, nuk mund të vendoset nga asnjë zyrë e Republikës së Shqipërisë për t’i hequr pronën Kristaq Qiqit. Tani zonja Bici, ju lutem, merreni këtë urdhër, studiojeni, interpretojeni dhe ne do flasim edhe zyrtarisht së bashku për të marrë një përgjigje sepse ky vendim, ky anulim ka çuar zyrën përmbarimore dhe ka ardhur tek ju, kjo është pra!

Ndërmjetësja kërkoi gjithashtu ndërhyrjen e organeve kompetente për të zgjidhur problemin e qytetarit i cili ka mbetur pa të drejtë jashtë shtëpisë së tij.

Eni Çobani: I kërkoj organeve kompetente, ju lutem të vini në vend këtë padrejtësi, të hapet dera e këtij zotërisë, të marrë banesën, banesa është e Kristaq Qiqit, ky është bërë pronar që në vitin 2020 dhe unë nuk e kuptoj si mund të shkojë në gjyq një pronar që i ka marrë të tërë letrat nga Republika e Shqipërisë, nuk i ka bërë privatisht zotëri, i ka marrë nga zyrat e Republikës së Shqipërisë, pra këtu e japim dhe këtu e marrim,  po me të njëjtët njerëz dhe po me të njëjtat zyra. Atëherë kjo është e papranueshme!

I drejtohem edhe njëherë zonjës Bici, marrjen në dorë të këtij urdhri, parjen në mënyrë të saktë këtë vendimmarrje dhe më pas ne do të bëjmë patjetër dhe gjithë diskutimet zyrtare së bashku se si do të vendosim për rivënien në vend të kësaj padrejtësie./tvklan.al