Trajneri i kuqezinjve Silvinjo thotë se është i zhgënjyer nga humbja 2 me 1 me Italinë, por shprehet i kënaqur me paraqitjen e skuadrës.
Duke folur për mikrofonin e Tv Klan në emisionin Kampionët, Silvinjo u shpreh se pavarësisht rezultatit, Shqipëria ishte deri në fund kërcënuese ndaj Italisë, sidomos me rastin që pati me Rei Manajn, megjithëse minutat e para të ndeshjes ishin të vështira.
“Zhgënjim për rezultatin, i kënaqur për paraqitjen e skuadrës. 20-25 minutat para nuk i bëmë mirë sepse ishin shumë të vështira për ne. Më pëlqeu që luajmë ndaj Italisë kampione e Europës dhe deri në momentin e fundit ishim në lojë për të marrë barazimin.
Kur luan me ekipe të nivelit të tillë është normale që të kishim krizë emocionale ose dhe gjëra të tjera.
Dua të falenderoj ata që ishin sot këtu, kishte aq shumë shqiptarë. Kemi bërë një rrugëtim fantastik me shumë sakrifica për të arritur në këtë Europian. Punojmë 12 orë në ditë për ekipin për Shqipërinë. Futbollistëve u kam thënë të shfrytëzojnë këtë mundësi, ta shijojnë”, u shpreh Silvinjo.
Shqipëria humbi 2 me 1 ndeshjen ndaj Italisë, duke e nisur me humbje Kampionatin Europian.
/tvklan.al