“Korrupsion nuk do të ketë dhe nuk do të tolerohet”
Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi vlerëson rezultatet e arritura në Konferencën e Donatorëve për Shqipërinë të zhvilluar të hënën në Bruksel. Në një intervistë për “Deutsche Welle”, ai shpjegon se fondet do të menaxhohen në bashkëpunim me Bankën Botërore.
“Sigurisht implementimi do të jetë çelësi, parimet për të cilat kemi rënë dakord me Bankën Botërore dhe me institucionet e tjera financiare duhet të respektohen. Kemi vendosur marrëdhënie të mira pune me qeverinë e Shqipërisë deri më tani, e do të sigurojmë që paratë të përdoren arsyeshëm”.
Komisioneri Varhelyi thotë se nuk do të lejohet që të abuzohet me këto fonde.
“Korrupsion nuk do të ketë dhe nuk do të tolerohet. Ne do të jemi të përfshirë në implementimin dhe është shumë e qartë se ku janë nevojat më të mëdha, në sektorin e strehimit dhe ndërtesat publike. Aty do të fokusohemi edhe ne”.
Komisioneri për Zgjerimin flet edhe për çështjen e hapjes së negociatave me Shqipërinë. Ai thotë se është herët për të arritur në konkluzione, por thekson se Brukseli dhe qeveria shqiptare janë të angazhuara për të arritur rezultate.
Tv Klan