Një dite pas letrës qe Partia Socialiste i dërgoi kreut te Ministrisë se  Brendshme, Bujar Nishani, ku selia roze kërkonte te dhëna për votuesit pa pasaportë, një listë që duhet rifreskuar me informacione deri në datën 30 Maj, vjen edhe përgjigjja e Ministrisë se Brendshme.

Fatmir Konja: “Në datën 26 Maj kanë aplikuar për letërnjoftime elektronike 1 milion e 100 mijë shtetas, ku rreth 450 mijë prej tyre i takojnë grupit të qytetarëve pa pasaportë. Nga disa testime të bëra në terren rezulton se 160 mijë deri në 260 mijë shtetas nga grupi i personave që nuk zotërojnë pasaportë janë jashtë Shqipërisë, fakt të cilin e kanë pranuar dhe përfaqësues të Partisë Socialiste. Ministria e Brendshme i ka dërguar sot Partisë Socialiste së bashku me letrën listën emërore të të gjithë votuesve pa pasaportë që nuk kanë aplikuar ende për letërnjoftime elektronike”.

Duke informuar njëherësh prezencën e OSBE-se ne Tirane dhe vëzhguesit e ODIHR-it, mbi pajisjen e qytetareve me kartat e identitetit, zëdhënësi i kësaj ministrie theksoi se Ministria e Brendshme i ka kërkuar shprehimisht selisë roze te respektojë Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale gjatë përdorimit të këtyre informacioneve.

Duke iu përgjigjur shqetësimit te Partisë Socialiste, ministria garanton se bazuar ne kapacitetet reale në terren, ekzistojnë mundësitë e plota që çdo qytetar të ketë një dokument identiteti për të votuar në zgjedhjet e 28 Qershorit./tvklan.al