Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Sot fillon shpërndarja në gjithë Shqipërinë e kartave të votuesve. Kartat mbërritën dje nga Kanadaja, si pjesë e projektit “Asistencë për Zgjedhjet”, të drejtuar nga zëvendësministri i Pushtetit Lokal Blendi Klosi. Për herë të parë shtetasit shqiptarë do të votojnë të pajisur me karta votuesi në zgjedhjet lokale të 1 Tetorit. Për këtë janë përgatitur gjithsej 2.8 milion karta votuesish, nga të cilat 2.4 milion janë të printuara për gjithë votuesit e regjistruar në lista. Pjesa tjetër prej 450 mijë kartash janë bosh, të cilat mund të vihen në dispozicion gjatë procesit të rishikimit të listave.

Sipas Klosit karta ka shtatë shtresa sigurie, të njëjtën siguri si të kartëmonedhave që qarkullojnë. Në të përfshihen të gjitha të dhënat e çdo personi. Emri, atësia, mbiemri, numri i sigurimeve shoqërore të çdo personi si edhe disa elementë të tjerë sigurie. Kjo kartë ka vlerë edhe për gjashtë procese të tjera zgjedhore veç zgjedhjeve lokale të 1 Tetorit.

Procesi i realizimit të tyre ka kushtuar rreth tre milion dollarë, duke u shënuar si projekti më i madh i realizuar nga PNUD-i në Shqipëri. Veç donatorëve të huaj qeveria shqiptare dha 700 mijë dollarë. Tenderi i realizuar një muaj më parë u fitua nga një firmë e specializuar kanadeze, e cila solli dje në Tiranë 2.8 milion kartat e votuesve. Ato do të nisin të shpërndahen sot në 500 qendra në të gjithë Shqipërinë./tvklan.al