Sipas një dokumenti të autoriteteve franceze, mafia shqiptare po rrit prezencën akoma më shumë në Francë. “Le Figaro”, që ka siguruar këtë dokument, shkruan se grupet kriminale shqiptare janë tepër aktive në trafikun e drogës, vjedhjeve dhe kontrabandës së emigrantëve.
Një dokument i Ministrisë franceze të Drejtësisë thotë se bëhet fjalë për bandat shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Në këtë dokument, theksohet se mafia shqiptare po shpreson në anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE për të zhvilluar aktivitetin kriminal në Francë.
Këto grupe kriminale janë vendosur në Francë që në vitin 2010 dhe që prej atëherë po konsolidojnë pozitat e tyre në aktivitetin ilegal. Për herë të parë janë instaluar në Ile-de-France dhe përgjatë kufijve lindorë të vendit, për të qenë pranë shteteve të tilla Gjermania, Italia apo Zvicra. Në Francë, grupet shqiptare janë të përqëndruara më së shumti në tre fushat e përmendura më sipër, që kanë të bëjnë me trafikun e drogës, të emigrantëve të paligjshëm dhe të vjedhjeve.
98 grabitje me një vlerë prej 423 mijë Eurosh kishin kryer 5 shqiptarë nga Nëntori 2017 në Tetor të 2018-ës, duke vënë në alarm policinë dhe qytetarët.
Ndërsa në Maj të këtij viti Gjykata e Lionit dënoi një azilkërkues shqiptar i cili e kishte kthyer vendin ku strehohej në një laborator heroine.
Sipas gazetës franceze, grupet kriminale shqiptare janë investuar gjithashtu në trafikun e emigrantëve, veçanërisht në atë me destinacion Britaninë e Madhe. Pasi emigrantët mbërrijnë në veri të Francës, shqiptarët përfitojnë nga 1500 deri në 5 mijë Euro për një kalim në vendin ishullor. /
tvklan.al