Një fshat i vogël italian ka ndaluar qytetarët e saj që të sëmurën rëndë. “Njerëzit që jetojnë në Belcastro urdhërohen që të shmangin marrjen e ndonjë sëmundje që mund të kërkojë ndihmë mjekësore urgjente”, thuhet në vendimin e kryekomunarit Antonio Torchia.

Belcastro ndodhet në rajonin e Kalabrisë, një prej më të varfërve në Itali. Torchia tha se vendimi ishte “provokim humoristik” për shkak të problematikave me të cilat po përballet sistemi shëndetësor lokal.

Gjysma e popullsisë prej 1200 banorësh e Belcastro-s janë mbi moshën 65 vjeç dhe qendra e parë për emergjencat është 45 kilometra larg. Ai tha se në rrugën për të shkuar deri atje ka një kufizim shpejtësie prej 30 kilometrash në orë… Kështu që llogariteni vetë sa duhet për të shkuar.

Po ashtu qendra mjekësore e fshatit hapet në mënyrë sporadike dhe nuk ka mbulim gjatë fundjavave. Torchia tha për mediat italiane se është e vështirë që “të ndihesh i sigurt kur e di se nëse ke nevojë për ndihmë, shpresa e vetme është që të shkosh në qendrën për emergjencat në kohë, dhe se rrugët janë pothuajse një rrezik më i madh se çdo sëmundje”.

Si pjesë e vendimit, banorët janë urdhëruar që të mos angazhohen në sjellje që mund të jenë dëmtuese dhe të shmangin aksidentet e brendshme, të mos dalin nga shtëpia shumë shpesh, të mos udhëtojnë apo të mos praktikojnë sportet dhe të pushojnë shumicën e kohës.

Por siç mund ta kuptojmë, është shumë e paqartë se si mund të realizohen këto rregulla të reja.

Duhet të kujtojmë se rajoni i Kalabrisë është një prej më të varfërve në Itali. Keqmenaxhimi politik dhe ndërhyrja e mafias kanë shkatërruar sistemin shëndetësor, i cili u vendos nën administrim të veçantë nga qeveria qendrore rreth 15 vite më parë.

Komisionerët e vendosur nga Roma kanë pasur vështirësi për të shlyer borxhet e spitaleve, që do të thotë se kalabrezët janë të dëmtuar nga mungesat e personelit mjekësor dhe shtretërve. Që prej vitit 2009 atje janë mbyllur 18 spitale.

Si pasojë, më shumë se gjysma e Kalabrisë, pra 2 milionë banorë, kërkojnë ndihmë mjekësore jashtë rajonit. Në vitin 2022 u njoftua se Kuba do të dërgonte 479 doktorë në rajonin italian për të punuar për 3 vite në ndërtesa të ndryshme mjekësore. Guvernatori i rajonit, Roberto Occhiuto tha vitin e kaluar se këta mjekë “shpëtuan” spitalet e Kalabrisë.

Ndërkohë banorët e Belcastro-s i thanë mediave lokale se kryekomunari Torchia bëri gjënë e duhur për ta diskutuar këtë çështje.

“Ai përdori një vendim provokativ për të tërhequr vëmendje mbi një problem të rëndë”, tha një banor./tvklan.al