I dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është takuar mëngjesin e sotëm me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës që po zhvillon në Prishtinë për çështjen e dinarit serb.
Pas takimit me Presidenten Osmani, Escobar do të takohet me krerët e partive opozitare në Kosovë.
Ndërsa ditën e nesërme do të ketë një takim me Kryeministrin Albin Kurti.
Emisari amerikan tha të martën se gjatë vizitës në Prishtinë, do t’i ketë në fokus “një zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për ta ndaluar dinarin, si dhe për transferet prej Serbisë për qytetarët e Kosovës, të cilët varen prej tyre”.
Banka Qendrore e Kosovës e filloi zbatimin e një rregulloreje të re nga 1 shkurti, e cila përcakton që vetëm euroja të përdoret për pagesa me para të gatshme, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb.
Escobar ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, mirëpo kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për ndikimin që ka te komuniteti serb.
/tvklan.al