Shqipëria arriti sonte ta mposhtte Gjeorgjinë në shtëpinë e saj me fitoren e vështirë të një goli. Triumfi i mbrëmjes vjen 1 muaj pas humbjes në Tiranë duke e renditur Shqipërinë me 6 pikë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka reaguar në rrjetet sociale duke vlerësuar performancën e kombëtares.

Ai shkruan se pas sfidës në Çeki, ekipi është gati për të vazhduar rrugëtimin me frymën e  fitores. Presidenti shkruan se tashmë vijon edhe puna për ndeshjet e nëntorit.

“Fitorja e sotme e Kombëtares sonë kundër Gjeorgjisë në Tbilisi është një shembull i shkëlqyer i forcës së grupit dhe unitetit brenda skuadrës. Pas një sfide të vështirë në Çeki, ekipi ynë tregoi karakter të palëkundur dhe mobilizim të plotë duke dhënë përgjigje vetëm në fushë.

Me këtë triumf, tregojmë se jemi gati të përballojmë çdo sfidë dhe të vazhdojmë besimplotë rrugëtimin tonë. Lojtarët vunë zemrën në fushë për 90 minuta, duke rikthyer frymën e fitores dhe energjinë që na mban të bashkuar. Bëhemi gati për përballjet e nëntorit, ku tifozët tanë të jashtëzakonshëm do të jenë lojtari ynë i 12-të në shtëpinë tonë. Urime Kombëtares shqiptare!”, shkruan Duka./tvklan.al