Aktori i njohur amerikan, George Clooney ka dalë kundër Presidentit në detyrë Donald Trump, pas trazirave që shkaktuan mbështetësit e tij në Kongresin Amerikan.
Në një deklaratë për Hollywood Reporter, aktori 59-vjeçar kritikon presidentin dhe familjen e tij dhe i akuzon ata se kanë nxitur dhunën dhe janë në anën e gabuar të historisë.
“Donald Trump dhe e gjithë familja e tij duhet të shkojnë në koshin e plehrave të historisë. Emri i tij tani do të shoqërohet përgjithmonë me kryengritjen”, u shpreh aktori.
Clooney shtoi e ishte shumë e dhimbshme të “shikoje Kongresin Amerikan të përdhosej në atë mënyrë”. Po ashtu aktori komentoi dhe debatin për aktivizimin e amendamentit të 25-të të Kushtetutës që synonte shkarkimin e Trump, duke thënë se do ishte diçka shpresëdhënëse për daljen nga situata ku është vendi ditët e fundit.
Komentet e Clooney bëhen pas trazirave të shkaktuara dy ditë më parë, në një kohë kur Kongresi Amerikan certifikoi fitoren e Joe Biden. Mbështetësit e Trump që ishin mbledhur për të dëgjuar fjalimin e tij u futën brenda Kongresit Amerikan dhe 4 prej tyre u vranë.
Donald Trump u akuza se nxiti dhunën, por një ditë më vonë ai e dënoi atë dhe tha se pushteti tek Biden do të kalonte në mënyrë paqësore./tvklan.al