I përmendur në përgjimet e gazetës Bild për ndërhyrje në zgjedhjet e Dibrës, Damian Gjiknuri që tashmë gëzon statusin e drejtuesit politik të Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës thotë se pretendimet për blerje votash janë sajesa të kundërshtarëve politikë.
“Akuzojnë Kryeministrin e Shqipërisë për një bisedë krejt normale se thotë “A arrite objektivin?!”. -Po!..” Po, mor po, Ne jemi parti me objektiva elektoral! I vendosim vetes qëllime elektorale dhe i arrijmë. Ne jemi ata që as na blen e as na shet njeri. Por po ka një gjë që e blen shpirtin vlonjat është fjala e mbajtur dhe puna e bërë”.
Nga Novosela ku prezantoi Dritan Lelin, ai tha se PD është inekzistente në Vlorë, pasi ka humbur prej vitesh besimin e qytetarëve.
“Kjo është arsyeja pse goditem unë, pse goditet Edi Rama, pse goditen figurat kryesore të Partisë Socialiste. Sepse ata nuk kërkojnë zgjedhje, ata mjaftohen duke hedhur këto lloj shashkash të gatuara në kuzhinën e Partisë Demokratike dhe duan të nxisin njerëz për dhunë. Ne nuk do ti lejojmë. Ne jemi vërtet përfaqësuesit e denjë të Vlorës ndaj Vlora na voton”.
Gjiknuri u ndal edhe tek investimet për këtë qark, duke thënë se shumë shpejt pritet të përfundojë Bypass-i i Vlorës dhe të tjera projekte në energjetikë.
Tv Klan