Dëshira për të vizituar Shqipërinë duket se ka qenë më e madhe se frika. Për herë të parë, 5 ditë pas aksidentit tragjik të Fushë-Arrëzit ku humbën jetën 15 të rinj nga Malisheva, 100 gjimnazistë dhe mësues nga Ferizaj e Kosovës kanë ndërmarrë një ekskursion njëjavor nëpër Shqipëri. Rrruga e gjatë dhe jo e mirë nuk i ka trembur aspak dhe nuk i ka ndryshuar planet e tyre.

“Kemi ardhur dje. Gjatë udhëtimit kemi kaluar mirë.”

Gazetarja: “Si ju është dukur rruga?”

“Rruga me pak kthesa, por erdhëm.”

Gaztearja: “Nuk kishe frikë pas aksidentit që ndodhi?”

“Po, pas aksidentit kemi pasur pak frikë, por duhej patjetër të vinim se në verë nuk e kemi pasur të lejueshme më për të ardhur në Shqipëri dhe kishim dëshirë të madhe ne nxënësit dhe erdhëm.”

Gazetarja: “Kishit frikë gjatë rrugës?”

“Kishim pak, por mirë kemi kaluar.”

Gazetarja: “Si ju duk rruga?”

“Pak keq, por sërish mirë kaluam.”

Gazetarja: “Si udhëtuat, si ju duk rruga?”

“Shumë mirë, rruga është pak e keqe, por mirë kaluam.”

Gazetarja: “Kishit frikë gjatë rrugës pas aksidentit që ndodhi me shokët tuaj?”

“Pak po, por s’ke çfarë të bësh, ai ishte aksident, një tragjedi dhe dhembje për të gjithë shqiptarët.”

Gazetarja: “Ngurruat pak kur vendosët që të vinit në Shqipëri pas aksidentit?”

“Aspak nuk kemi ngurruar, sepse me pëlqimin edhe të prindërve edhe me vendosmërinë tonë, pavarsisht nëse ndodh diçka, ajo mund të ndodhë gjithkund edhe te ne, por megjithatë ne kemi qenë të sigurt dhe të bindur se do të kalojmë shumë mirë.”

Këta 100 gjimnazistë duket se thyen akullin dhe aksidenti tragjik i Fushë-Arrëzit nuk do të ndalojë kosovarët që të vizitojnë tokën e bashkatdhetarëve të tyre përtej kufirit. /tvklan.al