Për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha buxheti i qeverisë Rama për vitin e ardhshëm nuk është i mbështetjes më të madhe për qytetarët.
“Është buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e vendit. I adresimit të 90% të fondeve drejt duarve të zeza të qeveritarëve. Drejt Lubi Ballukut, që ndan 13 kilometra rrugë në 14 kontrata për të vjedhur 14 herë. Ka hyrë në Gines kjo hajdute shpifarake që nuk njeh standard dhe moral dhe që një vepër prej 27 kilometra rrugë, vazhdon ta vjedhë dhe ta vjedhë nga viti 2013 gjer sot. Unaza Rama-Balluku vazhdon prej 15 vitesh dhe gjatë kësaj kohe janë firmosur 14 kontrata se duam ta mbajmë më shpejt, thotë hajdute Balluku, që mbrohet nga një bandë e Skrapit.”
Lideri i opozitës gjithashtu bëri të ditur se gjatë diskutimeve maratonë të buxhetit në Parlament, demokratët do të paraqesin 16 propozime në forma amendamentesh, të cilat parashikojnë përcaktimin e minimumit jetik 200 euro, rritjen e pensioneve, duke 5-fishuar fondin nga 16 në 80 milionë euro. Rritjen e pagave në administratë, të mësuesve, pedagogëve, mjekëve e infermierëve. Ndër propozimet e tjera janë pezullimi i të gjitha pagesave buxhetore për PPP-të në Shëndetesi, duke përjashtuar dializën.
Berisha komentoi edhe vendimin e qeverisë Rama për dhënien e bonusit për pensionistët si ai i blerjes së votave.
“Bonusi i fundvitit janë paratë që Edi Rama u vodhi pensionistëve nga muaji mars gjer në muajin tetor, të cilët sipas ligjit të parlamentit, që nuk mund ta ndryshojë asnjë qeveri përveç parlamentit, duhet të merrnin shtesën 4 përqind duke nisur nga data 1 mars. U bëj thirrje shoqatave të pensionistëve, të formulojnë dosjen, të padisin hajdutin në gjykatë, se nuk po u jep bonus, po i mashtron. Ato para ju duhet ti merrni si 4 përqind e pensionit tuaj, çdo muaj. Por ai nuk ua dha. I pashpirt. Ndërkohë që rriti rrogat me 5 herë rrogat e larta dhe vitin e ardhshëm ka parashikuar gjithsej, 16 mln për indeksimin tuaj.”
Teksa bëri thirrje që të protestohen të martën pasdite para parlamentit kundër buxhetit, Berisha tha se PD vijon të mbajë kontaktet me ambasadat kryesore në vend duke zhvilluar takime periodike.
Propozimet e PD për buxhetin e ri
- Minimumin jetik 200 Euro për çdo shqiptar.
- Rritja e pensioneve dhe pesëfishimin e fondit për rritjen e tyre, pra nga 16 mln euro në 80 mln euro.
- Trefishimi i fondeve për të përndjekurit politikë, (nga 1.2 miliardë leke në 4.2 miliardë lekë).
- Rritja me 1% të PBB-se të buxhetit të arsimit (dhe rritje graduale me 1% çdo vit derisa të arrijë në shifrën 5 përqind).
- Rritja me 1% te PBB-se të buxhetit të shëndetësisë (rritje graduale me 1% çdo vit gjer në shifrën 5 përqind).
- Rritje me 50% të fondeve për barnat e rimbursueshme (60 mln euro shtesë). Kanë hequr nga rimbursimi ilaçet jetike, sidomos për pensionistët dhe të tjerë.
- Pezullimi i menjëhershëm i të gjitha pagesave buxhetore për PPP-të në shëndetësi (përveç dializës).
- Rritja me 10% e pagave të gjithë administrates publike (përveç pagave të larta).
- Rritje me 20% të pagave të mësuesve dhe pedagogëve, mjekëve dhe infermierëve.
- Fondi për kërkimin shkencor rritet në 20 milionë euro.
- Rritja e transfertës së pakushtëzuar për bashkitë me një shtesë prej 130 milionë euro.
- Mbështetje e prodhimit vendas me 50 mln euro.
- Katërfishim i subvencionit për fermerët, blegtorët dhe agroindustrinë, nga 30 në 120 mln euro.
- Rritja jo më pak se 15 mln euro shtesë fondeve për Spitalin Onkologjik duke vendosur 10 përqind të akcizës.
- Përgjysmimi i shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore dhe vendore (pa cenuar shpenzimet jetike, të sigurisë dhe vendimet gjyqësore të formës së prerë).
- Trefishimi i fondeve për mirëmbajtjen e rrugëve.
Tv Klan