12 ish-zyrtarë, mes të cilëve edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u dërguan në gjyq për dyshimet se “shpërdoruan detyrën” në procedurat për konçensionin e inceneratorit të Tiranës.

9 nga të hetuarit kërkuan që procesi ndaj tyre të vijojë me gjykim të shkurtuar, çka do të thotë, gjykim më i shpejtë dhe në përfundim mund të përfitojnë ulje të dënimit në masën e 1/3, gjithmonë nëse gjenden fajtorë.

3 të tjerë me gjykim të zakonshëm, në mënyrë qe të shqyrtohen të gjitha provat në proces gjyqësor. Për dosjen e inceneratorit të Tiranës në një proces më vete po gjykohet ish-deputeti socialist, Alqi Bllako, i cili akuzohet se gjatë procedurave konçensionare është përfshirë në 2 raste në korrupsion.

Ndërkohë në një fraksion tjetër, janë shpallur në kërkim 8 persona, biznesmenë, të cilët akuzohen ndër tjera edhe për perfshirje në grup kriminal, që referuar SPAK, drejtohej nga biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

Dy të fundit konsiderohen si pronarët de fakto të inceneratorit dhe se kanë vënë në jetë një skemë mashtrimi me fatura fictive, nëpërmjet të cilës kanë marrë nga llogaria e kompanisë koncensionare vlera të larta monetare, duke i tjetërsuar dhe vënë në posedim të tyre më pas.

Tv Klan