Tezat e vjetërsisë së Gjuhës Shqipe, prej dy ditësh kanë qenë në fokus të albanologëve, gjuhëtarëve dhe studiuesve të huaj në Akademinë e Shkencave. Ishte studimi i publikuar 1 vit më parë në revistën “Science” për hershmërinë e gjuhëve indo-europiane, që riktheu dhe një herë diskutimet, por kësaj radhe i pranishëm ishte vetë autori Paul Heggarty, i cili sqaroi metodat e ndjekura mbi datimet e zhvillimeve të gjuhëve indo-europiane, ku bën pjesë edhe Gjuha Shqipe.
“Ishte një studim i madh, që na mori 7-8 vite punë. Dua të saktësoj se studimi i një viti më parë, nuk fliste vetëm për vjetërsinë e Gjuhës Shqipe, por për gjithë familjen e gjuhëve indo-europiane, që janë po aq të vjetra. Gjuha Shqipe është një gjuhë e hershme që ka vendin e saj në pemën gjuhësore dhe e veçantë nga të tjerat, një e dhënë e ditur, por me studimin që kemi bërë ne e përforcojmë këtë fakt dhe japim data të reja, për këtë gjuhë, por pa arritur të japin një shifër konkrete datimi.”
Tezat e studimit, të autorit Paul Heggarty sugjerojnë se indo-europianishtja daton 8100 vite më parë, ndërsa 6000-7000 vite më parë u ndanë degëzimet e para ku bën pjesë edhe degëzimi i Gjuhës Shqipe. Ndërsa metodat e kërkimt të tij shkencor, janë parë me qasje kritike.
“Metoda që ne kemi përdorur vjen nga biologjia, ADN-ja, që janë zhvilluar nga matematicienë. Është një metodë e re shumë e debatuar nga gjuhëtarët dhe sigurisht duhet të jemi shumë të kujdesshëm për çdo lloj përfundimi. Po përpiqemi të gjejmë kronologjinë e zhvillimit të familjes së gjuhëve indo-europiane.”
Diskutimet mbi lashtësinë e gjuhëve marrin parasysh edhe gjetjet e fundit arkeologjike, të cilat janë të vetmet që mund të saktësojnë tezat e lashtësisë së gjuhëve.
Tv Klan