SPAK në bashkëpunim me drejtësinë italiane ka shkatërruar një grup kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Italisë. Në njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme thotë se kësaj organizate, ku bënin pjesë edhe shqiptarë, i janë sekuestruar mbi 2 tonë kokainë, 45 kg hashash si dhe 20 kg marijuanë.
Nëse kjo sasi droge do të hidhej në treg, do të përfitoheshin rreth 70 milionë Euro. Në total janë arrestuar 23 persona, ndërsa në Shqipëri, Policia e Shtetit prangosi shtetasit Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku, si pjesëtar të këtij rrjeti trafiku.
Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 20 mijë Euro, një armë zjarri pistoletë, 52 ora të markave të ndryshme, një automjet luksoz dhe disa celularë. Aktiviteti dhe emrat e trafikantëve janë zbuluar nga zbërthimi i komunikimeve në aplikacionin Sky ECC.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bën të ditur se hetimet për këtë grup kanë nisur në Dhjetor të vitit 2021. Për goditjen e kësaj organizate është ngritur një skuadër e përbashkët hetimore me Degën Rajonale të Prokurorisë Antimafia të Firences.
Klan News