Prej dhjetorit 2021, SPAK në bashkëpunim me Degën e Prokurorisë Antimafia në Firence kanë kryer hetime të përbashkëta për goditjen e një rrjeti që merrej me trafik kokaine.

Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria e Posaçme thotë se ditën e djeshme është realizuar operacioni policor, ku mori pjesë edhe Eurojust. Janë arrestuar 23 persona në Itali dhe 2 në Shqipëri.

Trafiku i lëndës narkotike kryhej nga vendet e Amerikës Latine për në portet detare italiane e vende të tjera të Europës. Kontejnerët me drogë ngarkoheshin në pjesën e sipërme me fruta ekzotikë dhe ruheshin në porte në një vend të posaçëm. Më pas gjendeshin me pajisje radiolokalizimi dhe nxirreshin nga zona portuale për t’iu vënë në dispozicion bandave të krimit.

Është sekuestruar mbi 2 ton kokainë, 45 kg hashash, 20 kg marijuanë me vlerë rreth 70 milionë euro.

Në vendin tonë, të Martën janë ushtruar kontrolle në 18 banesa të personave të dyshuar. Një pjesë e këtyre të fundit janë rezidentë në Itali, por me banim në Shqipëri.

“Operacione të ngjashme janë duke u zhvilluar në Francë, Rumani dhe në vende të tjera të përfshira”, thotë SPAK.

/tvklan.al