Lajme Arkiva 2003

Një grua e moshuar është gjendur e vrarë në shtëpinë e saj në zonën e njohur si Kodra e Priftit. Vrasja është kryer për motive grabitje pasi në shtëpi është marrë një sasi e madhe parash Remzie Kulla me origjinë nga Korça ishte vendosur në këtë lagje të Tiranës para disa vitesh dhe jetonte me djemtë e saj të cilët merreshin me tregti. Në momentin e ngjarjes djemtë ndodheshin në punë.

Grabitësi është futur në banesën e gruas dhe e ka qëlluar atë më një send të fortë në kokë duke e lënë të vdekur. Viktima është gjetur në këtë gjendje rreth një orë pas ngjarjes nga nusja e djalit e cila ka alarmuar menjëherë fqinjët. Policia e ardhur në vendngjarje ka bërë menjëherë ekspertizën e trupit dhe këqyrjen e rrethanave të ngjarjes.

Gjithashtu janë pyetur edhe banorë të zonës në lidhje me lëvizje të dyshimta të ndonjë personi në momentin e vrasjes. Grabitja ka ndodhur në momentin kur dihej se pjesëtarë të tjerë të familjes ndodheshin në punë ose në shkollë.

Gjithashtu grabitësi kishte dijeni edhe për paratë dhe vendin se ku mbaheshin ato. Mbi këtë fakt policia po heton mbi dyshime në lidhje me njerëz të njohur të familjes Kulla./tvklan.al