Fondi shqiptaro-amerikan i ndërmarrjeve tashmë e konsideron veten në fazën e tij të pjekurisë, kur është gati të ndërmarrë projekte të mëdha që përputhen tashmë edhe me zhvillimin e madh të Shqipërisë.

Kreu i këtij fondi Michael Granoff, deklaroji se lista e projekteve është më e madhe dhe investimet e fondit priten edhe më të sofistikuara.

Michael Granoff: “Ne jemi rritur dhe kemi fituar eksperiencë në projekte të mëdha siç është shembulli i një projekti të sofistikuar si Aeroporti i Rinasit. Lista e projekteve tona për të ardhmen nuk ka qenë kurrë më e madhe se sot. Kemi projekte të mëdha dhe fondi ka shumë rrugë për të bërë. Sektori që fondi konsideron për të investuar janë shërbimet financiare, energjia, sektori i zhvillimit të pasurive të patundshme dhe parqet, e zonat ku zhvillohet tregtia me shumicë e pakicë”.

Duke u ndalur në një tjetër projekt atë të kartave të identitetit që fondi po kryen, Granoff konsideroj palët politike të angazhuara maksimalisht që ky projekt të kryhet si duhet.

Michael Granoff: “Jemi duke punuar në mënyrë të jashtëzakonshme që të dhënat të merren në mënyrë korrekte, të përpunohen në mënyrë korrekte dhe të ruhet kofidencialiteti. Qeveria dhe opozita po japin mbështetjen maksimale që projekti të ecë siç duhet”.

Fondi shqiptaro-amerikan është ngritur në vitin 1995 me vendimin e qeverisë amerikane, me një kapital 30 mln dollarë. Deri tani ai ka investuar në Shqipëri 80 mln dollarë dhe ka një vlerë kapitali prej 200 mln dollarësh. Tani fondi po bëhet gati për fazën e dytë të investimeve në Shqipëri. Nga njëra anë ai do të vendos nëse do të rrisë vlerën e investimeve dhe nga ana tjetër do të ngrejë fondacionin më të madh të krijuar ndonjëherë në Shqipëri, i cili do të fokusohet në çështjen e arsimit dhe në shëndetësi./tvklan.al

Operatori: Metlin Kepi

Montazh: Vilma Halilaj