Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj priti në takim Kreun e Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, me të cilin ndau lajmin e mirë për dy projekte të reja qe lidhen me transformimin e Piramidës së Tiranës.
Veliaj tha se tashmë Piramida është kthyer në një destinacion jo vetëm për shqiptarët, por edhe për mijëra turistë.
Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranë: Sot Piramida është zyrtarisht nga të gjitha raportet që ne kemi nga rrjetet sociale Facebook, Instagram, Tik Tok, vendi më i fotografuar, vendi më i vizituar dhe vendi ku kryhen më shumë lëvizje në sensin që është një “mini Mekë” ku, ngjitjet, hyrjet, daljet kanë le të themi numrin më të madh të turistëve dhe të vizitorëve të Tiranës që duhet me patjetër kutinë e Piramidës ta shënojnë.
Michael Granoff foli për programet që synohet të integrohen te Piramida e Tiranës për edukimin e mëtejshëm digjital edhe për të rriturit.
Michael Granoff, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim: Tani që e kemi çuar në nivelin ku duhet Piramidën, jemi duke u përpjekur të shtojmë edhe copëza të tjera, për ta kthyer në një qendër gjithëpërfshirëse të edukimit digjital, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin. Kemi disa programe shtesë si “Plug & Play”, që mund t’ia shtojmë kurrikulës. Këto janë programe botërore të edukimit digjital, që mund t’i sjellim te Piramida, duke zgjeruar menynë e programit që ofrojmë në Shqipëri për edukimin e mëtejshëm digjital për fëmijë dhe të rritur.
Veliaj shtoi se me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim po punohet edhe për projektin, që ka të bëjë me lidhjen e Liqenit të Farkës me Liqenin Artificial të Tiranës, përmes një parku linear.
Klan News