Në Greqi hyn në fuqi java gjashtëditëshe duke shfuqizuar kështu javën 5 ditëshe në punë dhe pushimi në fundjavë.
Kjo vlen vetëm për punëtorët në industri, shitje me pakicë, ferma dhe disa shërbime do t’u kërkohet të punojnë gjashtë ditë në javë, nëse punëdhënësi vendos kështu. Për ditën e gjashtë paguhet një shtesë prej 40 për qind të pagës ditore. Turizmi dhe gastronomia janë të përjashtuar nga kjo rregullore, pasi java pesëditore në këta sektorë i përket të shkuarës që nga viti 2023.
“Java pesëditëshe merr fund përfundimisht”, thotë Aris Kazakos, profesor i së drejtës së punës në Selanik. Avokati i njohur paralajmëron nga rreziku i pushtetit absolut të punëdhënësit në marrëdhëniet me punonjësit e tij. Zyrtarisht java gjashtë-ditëshe u vendos me arsyen se në tregun grek të punës mungon personeli i kualifikuar. Kjo bën që puna jashtë orarit të jetë më e lirë për punëdhënësin dhe ai nuk detyrohet të punësojë më shumë punonjës.
Në shumicën e vendeve evropiane sindikatat luftojnë për shkurtimin e orarit të punës pa ulur pagat. Synimi është ndër të tjera, që të stimulohet punësimi sepse java 35-orëshe ose java katërditëshe kufizon numrin e orëve jashtë orarit dhe i detyron punëdhënësit të punësojnë personel shtesë. Ekspertët shprehen se sforcimi nga një ditë e gjashtë pune në javë rrit rreziqet për sigurinë e punëtorëve në industri.
Ende pa hyrë në fuqi ligji për javën gjashtëditëshe grekët sipas të dhënave të Eurostatit punojnë më gjatë se të gjithë qytetarët e tjerë të BE, me një mesatare prej 41 orësh në javë, dhe paguhen mjaft keq për këtë. Me një pagë minimale prej 830 eurosh Greqia zë vendin e 15-të në listën e vendeve të BE. Përsa i përket fuqisë blerëse Greqia është madje vendi i parafundit në Evropë.
Klan News