Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Përfaqësuesit e opozitës në këshillin bashkiak të Tiranës, janë takuar gjatë paradites me punonjësit e parkut urban të udhëtarëve të ngujuar në grevë urie prej 8 ditësh. Të kryesuar nga Ilir Rusmali, këshilltarët e opozitës i kanë cilësuar mjaft të drejta kërkesat e punonjësve të parkut, përmirësim të kushteve të punës dhe rritje të pagës.

Rusmaili u ka pohuar grevistëve, se shumë shpejt do të kërkojë që të zhvillohet një mbledhje e veçantë e këshillit bashkiak, ku do të diskutohet për zgjidhje të kërkesave të parkut urban të udhëtarëve.

Ndërkohë kryetari i bashkisë së Tiranës ka përuruar sot futjen në linjën e shërbimit urban Tirana e Re – Stacioni i Trenit të 16 autobusëve të rinj, të cilët do të menaxhohen nga një operator privat.

Edi Rama: “Kjo rrit cilësinë e shërbimit për qytetarët, duke vazhduar njëkohësisht të na japi rezultate dhe duke vazhduar të na dëshmojë, që partneriteti i sektorit publik me sektorin privat në të gjitha ato raste kur bëhet në funksion të interesave të përbashkëta dhe në funksion të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët është një partneritet, i cili tregon më së mirë se në këtë vend ka ende potenciale të jashtëzakonshme po krejt të pashfrytëzuara, ose dhe më keq akoma, të deformuara”.

Kjo linjë e shërbimit urban mbulohet nga parku i transportit të udhëtarëve dhe një nga kërkesat e grevistëve ishte që kjo linjë të mos privatizohej./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka