Trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenovic, foli në konferencë për shtyp, në prag të sfidës me Laçin në kampionat.

Tekniku i korçarëve deklaroi se janë javë delikate, sepse skuadra ka nevojë për pikë. Sipas tij, te Skënderbeu nuk ka asnjë problem tjetër, përveç pikëve.

“Këto javë janë delikate sepse kemi nevojë për pikët. Presion kemi, por është pjesë e futbollit, pa presion nuk vazhdojmë dot përpara. Unë nuk shikoj asnjë problem përveç pikëve, në 5 javë me 4 pikë është shumë pak për ne. Tani jemi përqendruar te ndeshja me Laçin dhe më pas mund të flasim më shumë e të bëjmë analiza. Mendoj se do vazhdojmë me formacionin 4-3-3, është skemë ofensive.

Grupin e lojtarëve e kemi të mirë, në ndeshjen e fundit, Dinamo në pjesën e parë ishte pak më mirë, ndërsa pjesën e dytë lojtarët ishin afër shënimit të golit të dytë, pastaj ndodhi e papritura në minutën e fundit. Çdo gjë është e hapur.”, deklaroi Gvozdenovic.

Ndeshja Skënderbeu-Laçi, do të luhet në Korçë, në orën 17:00. /tvklan.al