Këto porta prej betoni kishin 32 vjet që nuk hapeshin.
Porta e tunelit të fortifikuar të Porto Palermos i ndërtuar gjatë regjimit komunist dhe që u rihapën si pjesë e një projekti të Ministrisë së Mbrojtjes për rijetëzimin dhe rehabilitimin e të gjithë kompleksit infrastrukturor në Gjirin e Panormës për funksione ushtarake dhe civile.
Projekti synon mirëadministrimin e zonës, e cila ka nisur të jetë një destinacion turistik i privilegjuar, duke respektuar normat mjedisore dhe duke ofruar kushte sa më të larta sigurie lundrimore.
Hapi tjetër do të jetë përshtatja e objekteve të kompleksit që nuk gëzojnë më funksione ushtarake, me qëllim krijimin e një atraksioni turistik të qëndrueshëm. Iniciativa është përshëndetur edhe nga kryeministri Rama.
“Me hapjen e tunelit nënujor të Porto Palermos, nis projekti i Ministrisë së Mbrojtjes për ta kthyer Gjirin magjepsës të Panormës në një destinacion të turizmit historik, ku do të ndërthuret natyra e paprekur e gjirit, vendosur nën mbrojtje nga qeveria shqiptare, me rijetëzimin e godinave të vjetra ushtarake, krijimin e muzeut të Luftës së Ftohtë, si edhe jetëzimin e kalasë së famshme të Ali Pashës.”
Përveç qëllimeve turistike projekti synon gjithashtu të rikthejë në gatishmëri teknike këto asete të Forcës detare, të cilat mund të shërbejnë për qëllime stërvitjesh kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ndërtimi i këtij tuneli nisi në 1969 dhe zgjati deri në vitin 1988. Ai shërbente për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, duke shërbyer njëkohësisht si një bazë e fuqishme dhe e mbrojtur.
Tv Klan