Ministria e Jashtme franceze me anë të një deklarate i ka dënuar ashpër veprimet e qeverisë së Kosovës, që lidhen së fundmi me hapjen e urës së Ibrit
Ministria e Jashtme e Francës: Franca dënon ashpër shumëfishimin e veprimeve të njëanshme të autoriteteve kosovare në veri të vendit, të cilat ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb. Këto veprime rrezikojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë para realizimit të perspektivës evropiane të dy vendeve.
Në reagim theksohet nevoja e uljes së tensioneve, si dhe rikthimi në tryezën e dialogut.
Ministria e Jashtme e Francës: Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i ri i njëanshëm, i cili do të kontribuonte më tej në përshkallëzimin e tensioneve. Ajo inkurajon të dyja palët të kthehen në tryezën e bisedimeve, nën kujdesin e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të përparojnë në zbatimin e marrëveshjes Bruksel-Ohër.
Qeveria Kurti përkundër apeleve të ndërkombëtareve ka vendosur hapjen e urës se Ibrit. KFOR, misioni i NATO-s në Kosovë ka bërë të ditur se po e ndjek nga afër situatën në Veri.
Trupat ushtarake italiane po patrullojnë e ruajnë urën e Ibrit. Misioni ndërkombëtar ushtarak thekson se nuk do të ngurrojë të veprojë sipas mandatit që iu është dhënë për të ruajtur stabilitetin rajonal.
Tv Klan