Bartësi i listës së AAK-së për zgjedhjet e 14 Shkurtit, Ramush Haradinaj, është shprehur se ekonomia është shtylla kryesore e programit të tyre me të cilin synojnë të qeverisin. Pas kësaj ai ka përmendur edhe fusha të tjera si mirëqenia, politika e jashtme, me theks përmbyllja e statusit shtetëror të Kosovës.
Haradinaj në Rubikon në Klan Kosova ka theksuar se nëse deri në fund të mandatit të qeverisë së re nuk ndodh konsolidimi shtetëror i Kosovës, do të thërrasë referendum për bashkimin me Shqipërinë.
“Nëse 25 vjet pas lufte – një çerek shekulli ua kemi dhënë aleatëve për finalizimin e statusin tonë, anëtar i BE-së, NATO, atëherë t’ua lëmë qytetarëve që të vendosin për bashkim me Shqipërinë në union, duke krijuar vlera të përbashkëta institucionale, por pa u kthyer mbrapa”.
“Kemi 20 vjet që jemi besnik vizionit tonë ‘Kosovë e pavarur, anëtar i NATO-s, OKB-së’, por është e pashmangshme në një moment të caktuar, që të vlerësohet si të vazhdohet më tutje, të kërkohet perspektiva jonë, apo të vlerësohen opsione tjera: bashkimi në union me Shqipërinë”, ka thënë Haradinaj.
“Paralajmëroj me kohë aleatët që në përmbyllje të mandatit të qeverisë që del nga këto zgjedhje, atëherë do të kërkoj si politikan, si qytetar, referendumin për ta pyetur popullin për bashkim në union me Shqipërinë. Unioni mund të quhet vetëm Shqipëri, por mund që të jetë Kosovë-Shqipëri. Dikujt i duket kjo elektorale. Është paralajmërim i sinqertë që mund të vijmë tek ajo ditë. Nuk është rutinë kjo dhe elektorale. Mund të kthehet në realitet”./klankosova