Që nga 19 Dhjetori qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi do të udhëtojnë pa viza drejt 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Lajmi u zyrtarizua në takimin e ministrave evropianë të mbledhur në Bruksel ku ndër të tjera u shpreh mbështetja e plotë për heqjen e këtij regjimi me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën e paralajmëruar të ndodhë në Korrik të 2010-ës.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Lulzim Basha dhe homologu i tij boshnjak, të cilët morën pjesë edhe në ceremoninë përmbyllëse të organizuar në nder të ministrave të brendshëm të vendeve të Ballkanit.

Lulzim Basha: “Natyrisht që sonte është marrë një vendim shumë i rëndësishëm, vendim i cili vërteton se edhe Shqipëria shumë shpejt do ti bashkëngjitet kryevendeve, pasi siç është theksuar vazhdimisht Shqipëria ka plotësuar tashmë kriteret, pritet vetëm verifikimi i këtyre kritereve nga BE-ja. Verifikimi që u bë tashmë me 3 vendet e tjera do të nisë nga data 14 dhjetor dhe do të përfundojë sipas gjithë gjasave brenda 3 mujorit të parë dhe ashtu siç e thekson dhe PE-ja, siç e përsërit sot zëvendës presidenti Barrot, ministri Billstrom dhe siç e përsëriti në një bisedë telefonike kryeministri Berisha presim që shumë shpejt vendimi për heqjen e vizave me Shqipërinë të merret. Çka do të thotë që përkushtimi jonë pa viza brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm është plotësisht i mundshëm dhe ne punojmë për ta përshpejtuar më shumë këtë datë.”

Zv/presidenti i Komisionit Evropian, Jacques Barrot tha për Klan, atë që i ka shprehur kryeministrit Berisha gjatë telefonatës së tij të fundit.Jacques Barrot: “Unë i thashë që dialogu me Shqipërinë do të intensifikohet për të arritur në liberalizimin e vizave. Meqë njoh mirë zotin Berisha, i konfirmova angazhimin total të Komisionit Evropian për ta ndihmuar Shqipërinë që të  përmbushë kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave.” Barrot theksoi ndër të tjera edhe mbështetjen e Komisionit Evropian për përshpejtimit e misioneve të verifikimit të kritereve për heqjen e vizave.

Më herët Ministri i Suedisë për emigracionin dhe azilin, Tobias Billstrom, foli në emër të gjithë ministrave evropian duke i bërë thirrje qeverive të Tiranës dhe Sarajevës të plotësojnë reformat e mbetura që qytetarët e këtyre vendeve të udhëtojnë sa më shpejt pa viza drejt Evropës.

 

Tobias Billstrom: “Nëpërmjet kësaj deklarate të përbashkët Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian nxisin qeveritë e Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës që të vazhdojnë  përpjekjet e tyre për reforma. Unë pres me padurim për ditën kur ne do të vendosim të heqim vizat për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës.”/tvklan.al