Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thotë se mbështet çdo veprim të drejtësisë ndaj tij dhe familjarëve. Në një reagim në rrjetet sociale, pas nisjes së hetimit pasuror nga SPAK, kryebashkiaku thotë se deri më tani i është bërë gjykimi nga opozitarë të korruptuar.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj: Duke marrë shkas nga zhvillimet e ditës së sotme, hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap. U bë një kohë e gjatë që hetimin dhe gjykimin tim e bëjnë opozitarët e zhytur në llumin e korrupsionit dhe të “ashtuquajturat media”, që luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie pre e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta.

Veliaj sqaron se është i hapur për çdo vendim të drejtësisë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj: Familjarët e mi dhe unë, si qytetar i këtij vendi, por njëkohësisht edhe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve.

U distancua nga kasta e politikanëve që sulmojnë në drejtësinë kur janë nën hetim.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj: Unë nuk bëj pjesë në atë kastë të vjetër politike që, për shumë kohë, e vendosën veten mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi llogaridhënien institucionale. Të gjithë këta që i kanë borxhe drejtësisë, rrokin flamurin e përkrahjes së drejtësisë kur në përputhje me ligjin dhe vendimet e gjykatave kryhen veprime procedurale në kuadër të hetimeve, dhe e sulmojnë atë me çdo mjet tashmë që drejtësia ka filluar të veprojë mbi ta, duke thyer kështu tabunë shumë vjeçare të mosndëshkueshmërisë.

Agjentët e Byros Kombëtare të Hetimit në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kanë shkuar në orët e para të mëngjesit të së Premtes në banesën e kryetarit të bashkisë së tiranës ErIon Veliaj. Burime konfimojnë se agjentët nuk kanë hyrë në banesë, por kanë sekuestruar vetëm celuluarin e bashkëshortes së krybashkiakut, Ajola Xoxa.

Po ashtu është ushtruar kontroll edhe në shoqërin Harabel dhe ambiente të tjera. Në një njoftim zyrtar, SPAK sqaroi se ka kryer veprimet hetimore, në bazë të një procedimi penal të regjistruar, pa specifikuar emra dhe duke thënë se nuk mund të bënte të ditur më shumë detaje.

Klan News