SPAK i është drejtuar për të dytën herë GJKKO-së me kërkesë për pushimin e çështjes së Selim Çekajt. Ai dyshohet se kishte trafikuar drogë pasi në kompaninë e tij iu sekuestrua kokainë e ardhur nga Amerika Latine.
Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raporton se SPAK nuk ka gjetur prova për implikimin e Selim Çekajt në trafik të lëndës narkotike. Vendimi për Selim Çekajn do të jetet në datën 27 Dhjetor.
Selim Çekaj u arrestua në Prill të 2021, kohë kur policia i gjeti dhe sekuestroi atij ngarkesën prej 49 kilogramësh kokainë.
Fillimisht për të gjykata vendosi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, ku qëndroi nga Prilli deri në Tetor 2021. Më pas me kërkesë të SPAK, togat e zeza caktuan “arrest në shtëpi” e më tej në “detyrim për paraqitje”.
Që prej arrestimit të tij, por edhe gjatë hetimit, 73-vjeçari, Selim Çekaj ka kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke pretenduar se nuk kishte asnjë lidhje me drogën.
Selim Çekaj është babai i Arbër Çekaj, ky i fundit i dënuar me 14 vite burgim për trafikun e 613 kg kokainë të kapur në Durrës./tvklan.al