“Shërbimet e delegacioneve të huaja që kanë mbërritur në Shqipëri apo evente të ndryshme, janë bërë pikërisht tek restorant “Gzona”, ndërsa faturat janë prerë tek restorante të tjera”, ka deklaruar gazetarja Glidona Daci referuar hetimeve të SPAK për ish-ministrin Ilir Beqaj.
E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetarja Glidona Daci ka shpjeguar me detaje skemën e faturave fiktive të restorantit “Gzona”.
Glidona Daci: Restorant “Gzona” u krijua nga bashkëshortja e Beqajt dhe Arti Malaj me aksione të barabarta 50%. Më pas, nga 2019 deri në 2021-shin, bashkëshortja e Beqajt bën një akt dhurimi, 35%. Më pas, në 2020, ajo bën akt shitje 15% dhe shet të gjitha aksionet Arti Malajt, duke u spostuar totalisht nga restorant “Gzona”. Nga ana tjetër, Arti Malaj në 2021-shin, bën shitje në 2021-shin dhe ja dhuron Eduart Currajt, një nga aksionerët e “Delta Farma”. Nga ana tjetër, gjatë gjithë verifikimeve që ka kryer SPAK dhe përgjimeve të Ermal Kurtulajt sepse ai është personi kyç. ”Gzona” ka kryer shërbime të ndryshme për evente, të cilat i ka kryer “Delta Farma” dhe ka shkuar në vlerën rreth 100 milionë Lekë të vjetra.
Blendi Fevziu: Ku është pjesa e shkeljes?
Glidona Daci: Referuar hetimeve të SPAK, me të vërtetë Adriana Beqaj heq dorë nga restorant “Gzona”, por nga ana tjetër, Ermal Kurtulaj që është njeriu më i besuar i Ilir Beqajt… Ilir Beqaj nuk i ka deklaruar këto lidhje. Rezulton që në një komunikim që ka pasur me Ermal Kurtulajn, ky i fundit kërkon disa fatura fiktive. E thënë me fjalë të thjeshta, shërbimet e delegacioneve të huaja që kanë mbërritur në Shqipëri apo evente të ndryshme, janë bërë pikërisht tek restorant “Gzona”, ndërsa faturat janë prerë tek restorante të tjera.
Blendi Fevziu: Çfarë do të thotë?
Glidona Daci: Drekën e kanë marrë tek “Gzona”, ndërsa faturën e kanë marrë tek “lokali i Fevziut”. I kanë thënë që do të më japësh X faturë dhe ti do të marrësh X për qindje parash. Kështu rezulton në dosje që janë bërë faturat sepse edhe personat që kanë lëshuar këto fatura fiktive kanë pasur pjesën e tyre të parave. Sipas vendimit të gjykatës thuhet se nëse një X shërbim i caktuar ofrohej tek Gzona, fatura nuk është bërë nga Gzona, por nga X restorant tjetër. Lekët janë bërë me fatura fiktive dhe nuk janë ofruar fatura./tvklan.al