Ministria e Arsimit ka vendosur të hedhë poshtë vendimin e marrë në fillim të këtij viti shkollor duke hequr mesataren e shkollës së mesme nga rregullorja e konkursit të pranimit në univeristete. Megjithëse ende nuk është marrë një vendim i prerë, kjo ide është prezantuar disa ditë më parë nga vetë ministri Memushi. Heqja e mesatares kërkohet me ngulm nga gjimnazistët e kryeqyteit, të mbështetur nga Parlamenti Rinor, por edhe nga Kryetari i Bashkisë, Edi Rama. Pavarsisht vendimit që do të merret, gjimnanzistët janë të pakënaqur nga Ministri i Arsimit, i cili merr vendime kaq të rëndësishme duke mos marrë parasysh atë që duan vetë ata.
“Ministria e Arsimit po tregon një pakujdesi shumë të madhe, sepse po e heq dhe po e vë këtë mesatare sipas qefit. Pozicioni kryesor i Parlamentit Rinor ka qenë që nxënësit të pyeten për këtë mesatare, pra e duan apo nuk e duan. Çfarë forme duan ata, të pyeten njëherë ata pastaj të merret vendimi.”
Sipas drejtorëve të shkollave, heqja e mesatares është një vendim i drejtë pasi jo në të gjitha shkollat kërkesa e llogarisë është e njëjtë, por megjithatë ky vendim mund të ndikojë negativisht te nxënësit, të cilët mund të ulin interesin e tyre ndaj mësimeve.
“Problemi nuk është aq i thjeshtë, sa që, domethënë, një vendim i paarsyetuar. Padyshim që ministri i arsimit duhet të bëjë edhe arsyetimet e veta, d.m.th. për heqjen e mesatares ashtu si edhe për vënien e mesatares. Kështu që nuk mund të merret bardh e zi problemi, pra ka anë të mira, po ka edhe anë negative. Në një mënyrë apo një tjetër, ulet interesi i nxënësve për të mësuar në mënyrë sistematike.”
Ndërkohë që kryebashkiaku Edi Rama e ka cilësuar si një fakt të kryer heqjen e mesatares dhe ka uruar gjimnazistët.
Edi Rama: “Shume urime për heqjen e mesatares, se ishte nji betejë e juaja që dha rezultat, megjithëse ju nuk bëtë ndonjë luftë shumë të madhe saç dukej se do të duhej bërë përballë kokëfortësisë së insitutcionit në fjalë dhe të drejtuesit të insitucionit në fjalë.”

Këtë urim, Rama e ka bërë gjatë një takimi me drejtuesit e gjimnazeve kryesore të Tiranës dhe përfaqësues të Parlamentit Rinor për t’iu komunikuar se tashmë infrastruktura arsimore e kryeqytetit do të administrohet nga Bashkia e Tiranës./tvklan.al