Kemi dëgjuar të thuhet që libri të shëron dhe kur përmendet kjo e fundit të gjithëve na shkon mendja tek shërimi i zemrës nga një lëndim apo ndarje dashurore. Por rasti personal i Donika Micit na dëshmon për diçka krejtësisht tjetër. Libri vërtet shëron! Libri shëron sëmundje!

E ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan duke folur se si libri i ka ndryshuar jetën, Donika Mici tregon një histori të veçantë ku libri në fakt asaj i riktheu memorien. Periudha e ngarkuar dhe stresi bëri që në vitin 2004, ajo të humbiste kujtesën për rreth 6 muaj.

Donika tregon se mjekët dhe shumë ekspertë të huaj i sugjeruan që të lexonte. Kështu që ajo nisi të lexonte romane pafund dhe më shumë se 500 faqe çdo ditë. Donika Mici shprehet se ishte pikërisht libri që i riktheu memorien dhe kujtimet e viteve që i ishin fashitur.

Donika Mici: Unë kam një histori shumë të bukur me librin dhe dua ta tregoj për shumë njerëz që kanë probleme shëndetësore nga memoria. Unë librin e kisha hequr nga dora që pas komunizmit pasi nisa një punë shumë të vështirë, shumë të ngarkuar dhe që isha e impenjuar totalisht. Mbaj mend që para komunizmit mblidheshim 3 veta në një zyrë dhe dikush lexonte kurse ne të tjerët e dëgjonim sepse ai libër pas disa ditësh duhej që të dorëzohej.

Rudina Magjistari: Cili ka qenë profesioni yt përpara viteve ’90?

Donika Mici: Unë kam qenë ekonomiste. Dhe kështu e shfrytëzonim atë kohën e vyer që kishim nëpër zyra, që dikush lexonte një libër shumë të bukur, ata librat “e verdhë” që them unë, kurse ne të tjetër e dëgjonim sepse nuk kishim luksin që ta kalonim nëpër duar. Por në vitin 2004 mbaj mend që pata një iktus cerebral nga stresi, puna dhe të gjitha gjërat dhe humba memorien për 6 muaj. Kudo që shkoja jashtë shtetit dhe më thanë që të sjellësh memorien e vetmja formë dhe mënyrë është që të lexosh sa më shumë. Them sinqerisht që lexoja 500 faqe në ditë, nuk mbaja mend asgjë. Poshtë krevatit tim u mbushën romane, normalisht romane të thjeshtë, të bukura me dashuri që të hynte diçka. Dhe unë pas 6 muajsh kam rikthyer memorien me librin.

Rudina Magjistari: Uau çfarë historie kjo Donika. 6 muaj “black out” total?

Donika Mici: Po nuk mbaja mend asgjë.

Rudina Magjistari: Po të afërmit e tu?

Donika Mici: I shikoja, por nuk mbaja mend. Numrat e telefonit që kisha të përditshëm dhe që punoja çdo moment nuk arrija dot t’i kujtoja.

Rudina Magjistari: Kujtoje episode të mëparshme me fëmijët të paktën?

Donika Mici: Kisha shumë mungesa, por brenda 6 muajve këto mungesa mu rikthyen me libër. Kam lexuar pafundësisht, nuk mbaj mend asgjë. Mund të kem lexuar 500 libra, por nuk mbaj mend asgjë nga ato që kam lexuar, duhet të rikthehem për t’i lexuar. Dhe kushdo që vinte në shtëpi më thoshte “të marr disa libra se i ke me kile”. Dhe unë fillova t’i falja./tvklan.al