Milani pësoi humbjen e dytë në Champions League, pas asaj ndaj Liverpool. Kuqezinjtë u mposhtën minimalisht në transfertë ndaj Bayer Leverkusen.

Ishte një takim, ku nuk munguan polemikat në lidhje me arbitrimin. Pas ndeshjes, trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, deklaroi se skuadrës së tij iu mohua një penallti e pastër.

Duke folur për ndeshjen, tekniku portugez deklaroi se kjo ishte sfida që ka shijuar më shumë për këtë sezon, referuar asaj që skuadra e tij tregoi në pjesën e dytë.

“Ndërhyrja ndaj Loftus-Cheek ishte penallti. Ndërhyrja ndodhi në zonë. Për mua është e çuditshme që nuk ndërhyri VAR-i. Ata as nuk e panë si aksion. Nuk më pëlqen të flas për arbitrat, ky nuk është një justifikim për humbjen, por arbitri ishte shumë i ashpër ndaj nesh.

Kjo ishte ndeshja që e kam shijuar më shumë këtë sezon, që kur kam marrë drejtimin e Milanit. Në pjesën e dytë luajtëm një ndeshje fantastike. Krijuam shumë diçka që nuk është e lehtë ndaj një skuadre si Leverkusen. Jemi të zhgënjyer. Unë jam i kënaqur, jo me rezultatin, por me guximin e treguar”, deklaroi Fonseca.

Pas dy raundeve të para, Milani nuk ka marrë ende asnjë pikë dhe renditet në vendin e 29-të në renditje. /tvklan.al