Humbja në derbin e Madoninës nuk ka kaluar pa trazuar ujërat te Interi. Zyrtarët e klubit italian kanë kërkuar llogari nga trajneri Simone Inzaghi për situatën e vështirë që po kalon skuadra. Kampionët në fuqi të Italisë po përjetojnë momentin më të keq në periudhën 4-vjeçare të Inzaghit në klub. Vetëm 8 pikë nga 15 të mundshme konsiderohen shumë pak për një skuadër të ndërtuar për të fituar tituj.

Drejtuesit e Interit e kanë zakon të takohen me trajnerin e tyre para dhe pas ndeshjeve. Pavarësisht se pranë klubit pranojnë se ekipi nuk është në gjendje krize, disa probleme evidente u shfaqën gjatë ndeshjeve hapëse të sezonit. Disa lojtarë nuk janë ende plotësisht në formë dhe rotacioni i përdorur nga Inzaghi nuk ka qenë plotësisht i suksesshëm. Në këtë mënyrë, drejtuesit kanë besim te cilësitë e italianit, që do tentojë ta rikthejë kompetitive skuadrën. Interi është tre pikë pas kryesuesve të kampionatit dhe sfidon Udinese në ndeshjen e radhës.

Klan News