Hungaria mund të jetë e para që do të prodhojë vaksinën kundër gripit A. Omnivest, një nga firmat e pakta të prodhimit të ilaçeve në Evropën lindore thotë se vaksina do të jetë gati në muajin tetor, megjithatë përpara se të vendosë të eksportojë do të studiojë me hollësi tregun lokal.
Zëdhënësi i kompanisë Zolt Nemeth tha se Omnivest mund të prodhojë deri në 500 mijë vaksina në javë. Të dhënat më të fundit nga OBSH flasin për të paktën 1490 të prekur dhe 30 viktima. Krerët e organizatës thanë se rreziku i pandemisë nga gripi A nuk është kapërcyer akoma, megjithatë është ende herët për të kaluar në shkallën 6 të emergjencës.
Presidenti i Meksikës, vendi ku lindi e u përhap virusi vdekje prurës, Felipe Calderon tha se pas qetësimit të situatës, jeta publike do të rikthehet në normalitet.
Në një konferencë për shtyp Kalderon u tregua shumë optimist duke thënë se vendimi për izolimin e popullsisë në Meksikë ka shpëtuar miliona jetë në mbarë botën. Ekspertët kanë vlerësuar se për momentin gripi nuk është agresiv megjithatë njerëzit janë të këshilluar të mos përdorin ilace antiviralë pa këshillën e mjekut./tvklan.al
Gazetare: Bora Sadriaj