Autoritetet italiane kanë gjetur trupin e pajetë të një 58-vjeçari shqiptar në zonën e Pescia.

Sipas mediave italiane, shqiptari është identifikuar si Viktor Qosja. Trupi i pajetë u gjet pranë zonës hekurudhore.

58-vjeçari ishte raportuar i zhdukur nga familjarët që prej 19 Janarit, rast që u trajtua edhe nga emisioni italian “Chi l’ha visto”. Por policia mundi të gjente trupin e viktimës vetëm para dy ditësh.

Nga hetimet është mësuar se Viktor Qosja dyshohet të jetë rrëzuar nga treni. Ai kishte zbritur në stacionin e gabuar dhe më pas kishte tentuar të hipte sërish në tren. Por treni sapo ishte nisur dhe mendohet që 58-vjeçari ishte kapur në dorezën e pjesës së jashtme, e më pas ishte rrëzuar në tokë. Një grua, e cila po udhëtonte në të njëjtin tren më 19 Janar, kishte ngritur alarmin për një person që po qëndronte i varur në pjesën e jashtme të trenit.

Policia italiane që u sinjalizua për ngjarjen, kontrolloi dhe nuk gjeti asnjë person. Për këtë arsye, rasti u konsiderua si alarm i rremë.

Ndërsa një javë më vonë, trupi i Viktor Qoses u gjet në një kanal pranë shinave të trenit. Rezultatet e autopsisë mjeko-ligjore do të përcaktojnë shkaqet e sakta të vdekjes së shqiptarit. /tvklan.al