Investime të mëdha amerikane pritet të mbërrijnë së shpejti në ekonominë shqiptare, zëvendës kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, tha se gjatë takimeve me zyrtarë të lartë amerikanë i është premtuar ndihmë prej 30.000.000 Dollarësh për vitin e ardhshëm. 1.5 milionë Dollarë do të jepen në kuadër të projekteve të çarmatimit.

Ilir Meta: Me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara që kemi biseduar kemi folur edhe për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe tregtisë. Për vazhdimin e programeve të ndihmave. Sikurse e përmenda dhe më parë këto programe të ndihmave dhe të asistencës ekonomike realizohen nëpërmjet programeve të USAID-it. Pritet që edhe për vitin e ardhshëm ky program të vazhdojë dhe me një shumë prej afro 30.000.000 Dollarësh në katër fushat që përmenda dhe më parë. Për sa u takon investimeve private, Shtetet e Bashkuara janë të interesuara për të nxitur investimet e tyre në Shqipëri dhe në rajonin e Evropës juglindore. Lidhur me bashkëpunimin në fushën e transportit ajror, sikurse ndoshta e dini ka një interesim të një prej kompanive më të shquara të Shteteve të Bashkuara dhe jo vetëm atje dhe besojmë se së shpejti interesi i tyre do të gjejë edhe konkretizimin me strukturat përkatëse të qeverisë shqiptare.

Gjatë sesionit të 57 asamblesë së përgjithshme të OKB-së, zëvendës kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta ka diskutuar me shefat e diplomacisë së Rusisë dhe Japonisë për marrëdhënie të ngushta në energjetikë dhe fusha të tjera të ekonomisë.

Zyrtarët amerikanë i kanë shprehur zëvendës kryeministrit Ilir Meta, mbështetjen e tyre për procesin e integrimit euroatlantik të Shqipërisë. Ata kanë vlerësuar rolin e Shqipërisë në kuadër të koalicionit mbarë botëror kundër terrorizmit./tvklan.al