Histori me zhurmues – Në Nëntor të vitit 1948 zhvilloi punimet Kongresi i Parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Me rastin e punimeve të këtij kongresi drejtuesit e partisë vendosën të inagurojnë objektin e parë të industrisë mekanike. Një nga punonjësit dhe drejtuesit e Uzinës Enver ishte i ftuar në “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço.
Përparim Kajca gjatë emisionit rrëfeu se si u bë pjesë e Uzinës Enver dhe detaje rreth punës në uzinë.
“Në vitin 1948 doli nevoja që të ngrihej uzina mekanike që më pas mori emrin e Enverit. Ishin dy arsye për të cilat u ngrit kjo uzinë. E para ishte se në atë kohë kishin çuar shumë kuadro në Jugosllavi, por pasi u prishëm me Jugosllavët këto kuadro do të vinin në Shqipëri dhe problemi ishte ku do të punonin. Në plan ishte që uzina të bëhej më 1949, por meqenëse dolën këto probleme ata u detyruan të avancojnë në kohë.
Arsyeja e dytë ishte se edhe makineritë që do të punonte uzina vinin nga Gjermania, ishin dëmshpërblimet e luftës Nacionalçlirimtare.
U desh një punë shumë e madhe dhe sakrificë sepse në fillim nuk kishte shumë kuadro. Komiteti qendror jugosllav më vonë mori 100 persona për t’i specializuar. Dhe unë shkova për mekanik. Specializimi ishte 3 vjet, por unë bëra 2 vjet sepse u prishëm me jugosllavinë. Mbaj mend që në atë periudhë u bënë shumë mbledhje dhe na thanë të kthehemi. Më pas na dërguan në uzinën Enver. Në fillim ka qenë shumë e vështirë, s’dinim çfarë të bënim. Uzina do të prodhonte pjesë këmbimi për automjetet dhe industriale po ashtu edhe bujqësore”, rrëfeu Kajca.
*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al