Pas disa seancash të dështuara, të premten është zhvilluar seanca për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, në Gjyktën e Posaçme të Apelit. SPAK ka relatuar në gjykatë ankimin e bërë kundër vendimit të shkallës së parë që shpalli të pafajshëm Alqi Bllakon për shpërdorim detyre.

Për të njëjtën vepër, pafajsi mori edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, por u dënua për korrupsion dhe pastrim parash me 5 vite e 6 muaj burg. Kërkesa e SPAK para Gjykatës së Posaçme të Apelit ka sjellë edhe reagimin e ish-ministrit i cili ka kërkuar pafajësi. 

“Jam i pafajshëm, ju po kërkoni të më dënoni mua si “peshkun e madh”, por nuk jam unë “peshku i madh”. Unë jam biznesmen dhe nuk kam pasur nevojë të më paguajë biletat e udhëtimit Mirel Mërtiri. Avokatët e tij thanë që biletat e rezervuara janë 3 vjet më vonë se sa lidhja e kontratës. Prokurorët pse nuk marrin si referencë kontratet e tjera për landfille, si ai i Vlorës dhe Lezhës që janë më të shtrenjtë. Pse e ndatë dosjen apo që të më dënoni sa më shumë mua.”

Ish-ministri i Mjedisit nuk i ka kursyer akuzat në drejtim të Monika Kryemadhit. Ai kërkon që gjykata të vendos drejtësi. 

“Ky është fiks kallëzimi i bërë nga Monika Kryemadhi, doni të gjeni korrupsionin, hapni telefonin e Monikës. Nuk më dënoni dot për korrupsion. Megjithëse ka kaluar një vit, konkluzionet e prokurorëve janë të njëjta. Unë e kuptoj që institucioni do të marrë kredibilitet dhe kjo gjykatë do të jetë në presion, por besoj se do të jepni drejtësi dhe do të ngriheni në nivelin e duhur të integritetit.”  

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka ka folur në gjykatë për të paktën 20 minuta, në lidhje me këtë çëshjte. Ai është dënuar edhe për dosjen e inceneratorit të Fierit me 10 vite burg që për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht u dënua me  6 vite e 8 muaj heqje lirie.

Ndaj Kokës është caktuar një masë e tretë sigurimi edhe për inceneratorin e Tiranës ku dyshohet për “shpërdorim detyre”. 

Klan News