Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit ka përfunduar hetimet për inceneratorin e Tiranës, duke çuar për gjykim 12 shtetas.
Në mesin e të akuzuarve janë ish-ministri, Lefter Koka, si dhe zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit apo të Bashkisë së Tiranës.
Ata do të akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, të kryer në bashkëpunim.
SPAK ka gjetur shkelje në lidhje me propozimin për dhënien e bonusit shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, anëtarët e Komisionit të Dhënies së Koncesionit, duke kryer veprime të jashtëligjshme para fazës së zhvillimit të procedurës si dhe gjatë dhënies së koncesionit.
Sipas SPAK, anëtarët e Komisionit kanë propozuar dhënien e bonusit, pa hartuar një raport përmbledhës, si dhe kur është bërë propozimi për dhënien e bonusit, komisioni i dhënies së koncesionit ende nuk kishte sqaruar kostot e projektit.
Gjithashtu theksohet se “Integrated Energy BV” ka qenë në dijeni të rrethanave konkurruese para se të shpallej procedura dhe kjo ndodhi falë ndihmës së dhënë nga të pandehurit.
Sipas hetimit të kryer “Integrated Energy BV” është pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen fitues të saj.
Prokuroria e Posaçme thekson se rezulton se nga aktet e administruara rezultojnë të dhëna fiktive të vendosura në studimin e fizibilitetit, të cilët kanë rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.
SPAK bën të ditur se po kryen hetime të mëtejshme në kuadër të procedimit penal, për të gjithë subjektet e tjerë të regjistruar në kuadër të këtij hetimi.
Tv Klan