Prokuroria e Posaçme e ka marrë të pandehur Alqi Bllakon edhe për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Sipas asaj që raporton gazetarja Glidona Daci, ish-deputeti akuzohet për veprën penale të korrupsionit në dy raste.
Sa i përket personave të tjerë të akuzuar për të njëjtën çështje, hetimet vijojnë.
Inceneratori i Tiranës u sekuestrua nga SPAK verën e vitit 2023, pasi rezultoi se kompania e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë Euro, kishte si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, të dy këta të fundit të shpallur në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit.
Për inceneratorin e Tiranës, SPAK pati lëshuar disa urdhërarreste mes të cilëve zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. Mes tyre edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar për 2 koncensionet e tjera të inceneratorëve, si dhe për ish-sekretarin e kësaj ministrie, Alqi Bllakon.
Kujtojmë se Alqi Bllako u dënua me 4 vite burg për inceneratorin e Fierit, dënim i cili zbriti në 2.8 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Për inceneratorin e Elbasanit, ai u shpall i pafajshëm nga Shkalla e Parë, për akuzën “shpërdorim detyre”. Në këtë rast, rreth 2 javë më parë, SPAK kërkoi në Apelin e Posaçëm ndryshimin e vendimit të Shkallës së Parë, duke kërkuar dënimin me 4 vite burg për Bllakon./tvklan.al